Kryeparlamentarja Elisa Spiropali thotë se votimi i djeshëm në lidhje me mandatin e Olta Xhaçkës ka demonstruar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të një viti e gjysëm më parë dhe së fundmi ai i Korrikut 2024, ka nevojë për sqarimin që kërkohet prej po kaq kohësh. Për këtë arsye, Spiropali, thotë se i është drejtuar për opinion Komisionit të Venecias dhe sapo ta marrin atë do të veprojnë sipas udhëzimit të tij.

“Ndaj plotësisht bindjen se zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Parlamenti është një çështje thelbësore, pasi lidhet me kontrollet dhe balancat institucionale në sistemin demokratik të vendit. Prandaj edhe e theksova gjatë hapjes së sesionit parlamentar javën e kaluar, si prioritet nevojën që Kuvendi të ndjekë vendimet e mbetura të Gjykatës Kushtetuese. Votimi i djeshëm demonstroi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të një viti e gjysëm më parë dhe së fundmi ai i Korrikut 2024, ka nevojë për sqarimin që kërkohet prej po kaq kohësh.

Pikërisht me qëllim marrjen e këtij sqarimi dhe dhënien fund të paqartësisë që e ka shoqëruar Kuvendin, për mënyrën e zbatimit të vendimit, i jam drejtuar menjëherë sot Komisionit të Venecias si një instancë me prestigj e kompetencë të padiskutueshme. Sapo të marrim nga Komisioni i Venecias opinionin përkatës, do të veprojmë sipas atij opinioni pa humbur asnjë ditë më shumë”, shkruan Spiropali.


Parlamenti i ka adresuar 5 pyetje ekspertëve të Venecias.

“1.Nëse bazuar në parimet e demokracisë parlamentare a mund të detyrohen deputetët që të votojnë në një mënyrë të caktuar? Nëse ka përjashtime të tilla, cilat janë ato dhe a kanë lidhje me rastin e mocioneve për pajtueshmërinë e mandatit të një deputeti? Cili është mekanizmi, nëse ka, për të detyruar deputetët të votojnë në një mënyrë të caktuar (pro, kundër, abstenim)

2. Cilat janë standardet për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit nga organet legjislative të shteteve të ndryshme?

3. Mbi bazë të cilave standarde do të duhet të interpretohet raporti mes mandatit përfaqësues, jo detyrues që deputetët gëzojnë dhe rolit tyre si anëtarë të Kuvendit në rastin e shqyrtimit të mocioneve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit?

4. Cili është roli i organit legjislativ lidhur me konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit në shtete të tjera dhe a ka një kontroll gjyqësor ndaj vendimmarrjes së tyre?

5. A mundet Gjykata Kushtetuese të krijojë normë të re kushtetuese, e cila nuk ka lidhje me kompetencën e saj interpretuese të një norme në fuqi? A mundet Gjykata Kushtetuese të krijojë një kategori të re subjektesh aplikuese të ndryshme nga ato taksativisht të listuara nga Kushtetuta?”, shkruhet në letër.



/tvklan.al