Një prej anëtarëve të bandës së vrasjeve me pagesë, të udhëhequr nga Admir Tafili dhe që ishte shpallur në kërkim nga policia, është arrestuar nga Policia Kufitare e Qafë – Thanës, në bashkëpunim me Policinë e Elbasanit.

25 – vjeçari Klajdi Shermadhi, banues në Elbasan, është ndaluar pasi Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë, ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, si i dyshuar për vrasje me paramendim, të kryer në bashkëpunim.

Bëhet fjalë për vrasjen e mbetur në tentativë të Edmond Cakmashit, në 5 Nëntor të vitit 2013, ku Shermadhi akuzohet si bashkëpunëtor me të pandehurit Admir Tafili, Kristi Pine, Ardian Ozuni dhe Alfred Qefalinë.

Nga hetimet e Prokurorisë për Krime të Rënda rezultoi se, grupi prej 16 personash merrte porosi dhe ka realizuar vrasje, disa të mbetura në tentativë, në këmbim të shumave të konsiderueshme të parave, nën drejtimin e të dënuarit me burgim të përjetshëm, Admir Tafili.

Hetimet për këta persona kanë nisur më Shkurt të 2015 – ës.

Tv Klan