Një garë e re nisi sot në rubrikën “Për drekë me mua”, mes këngëtares Çiljeta Xhilaga, gazetarit sportiv Alban Xhihani dhe aktorit Gent Hazizaj.

Konkurrenti i parë që tregoi aftësitë e tij në gatim ishte aktori i njohur, i cili i surprizoi të gjithë. Jo vetëm se është i biri i një shefeje kuzhine, por më shumë për faktin se i është dashur të mësojë të gatuajë kur ka qenë emigrant në Itali.

“Atje kam mësuar të gatuaj dhe jam tip që gatuaj shpejt dhe madje nuk bëj dhe pis”,

tregoi aktori i njohur. Ai përgatiti 4 pjata për të ftuarit e tij, edhe pse vetëm 3 nevojiteshin për konkurrimin.

Pjata e parë e quajtur “Uzo”, ishte një sallatë me lakër, ullinj dhe finok, madje për përbërësit të fundit ai kishte marrë frymëzimin dhe për t’i vënë emrin pjatës, pasi finoku ngjason me shijen e uzos.

“Edhe pse sallatë dimërore, lakra është evidentuar si një nga dy perimet që parandalojnë diabetin”,

e ka vlerësuar dietologia Blerina Bombaj pjatën e parë, që sipas dy konkurrentëve të tjerë, kishte pak më shumë kripë se ç’duhej.

Ndërkohë pjatën e dytë, Genti e kishte emërtuar “Koktejli”, një pastë e ftohtë shumëngjyrëshe me perime, vezë të zier dhe pak majonezë.

“Për të gjithë ata që duan të bien në peshë, është më mirë që pastat të hahen kështu se kur janë të ftohta, pasi sheqeri shkon më pak në gjak”,

 këshilloi Blerina, ndërsa jepte vlerësimin për këtë pjatë.

Ndërsa pjata e tretë ishte “Verë e ngrohtë”, me biftek të gatuar në tenxhere me presion me hudhra e vaj ulliri, shoqëruar me një salcë të përgatitur me patëllxhan, karota, qepë e erëza të ndryshme.

Për ëmbëlsirë, Genti kishte përgatitur një recetë të thjeshtë që mund ta përgatisim të gjithë në shtëpi: luleshtrydhe të grira me limon e pak sheqer, e cila duhet të qëndrojë për disa orë në frigorifer. Por gjatë kësaj dreke, konkurrentët dhe dietologia zbuluan mjaft detaje interesante nga jeta e tyre private.

Çiljeta Xhilaga tregoi se e sheh veten si nënë djemsh dhe këtë e zbuloi për shkak se dadoja e telefonoi ndërkohë që ndodhej në tavolinë.

“Do i bësh një motër ose vëlla Fernarndos, që të mos e lesh vetëm?”,

e pyeti Blerina Bombaj.

Këngëtarja, duke theksuar që po bënte shaka, tha:

“Unë shoh veten si nënë çunash jo si nënë gocash.  E di pse nuk dua gocë? Se dua që të më përkëdhelë gjithë jetën burri mua, jo të ma marrë dashurinë goca pastaj”.

Por thuhet se shakaja është gjysma e të vërtetës…

Ndërsa dietologia Bombaj rrëfeu:

“Kam punuar kamariere dhe jam kënaqur. Ka qenë një eksperiencë shumë e bukur që mua më ka mësuar më shumë në jetë në lidhje me komunikimin, shërbimin dhe natyrën njerëzore”.

Pas kamerës u zbulua se ajo kishte punuar jo pak, por 5 vjet si kamariere në një nga restorantet më të njohura në Athinë. Kjo ka ndodhur ndërsa ishte studente në Greqi dhe paralelisht shkollës i duhej të punonte.

Gjatë bisedës, ajo zbuloi gjithashtu se ëndrra e fëmijërisë nuk ka aspak lidhje me atë çfarë bën sot.

“Kam dashur të bëhem balerinë, por për fat të keq m’u ndërpre në mes kjo ëndërr”,

tregoi dietologia Bombaj.

Nga ana tjetër gazetari sportiv rrëfeu se ëndrra e tij e fëmijërisë ka qenë të bëhet pilot. Komentatori Alban Xhihani e kujtoi ëndrrën e tij, duke thënë:

“Kam dashur të bëhem pilot, por kisha një problem se më thonin që s’ke për t’u bërë kurrë se të zë makina”.

Kjo pasi kishte dëgjuar se prova kryesore për t’u bërë pilot ishte rrotullimi brenda një sfere e më pas rrotullimi në të.

“Aty thashë s’paskam për t’u bërë kurrë. Por problemi është që kur mësova makinën pashë që s’me zinte makina. Më erdhi keq që nuk insistova” ,

tregoi ai gjatë rubrikës “Për drekë me mua”./

tvklan.al