Në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që po mbahet në New York, Kryeministri Ramush Haradinaj ka zhvilluar një takim me zv/ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për Çështjen e Parandalimit të Konflikteve, Pete Marocco.

Në këtë takim është biseduar për angazhimin e Kosovës në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit si dhe për veprimet e ndërmarra në funksion të konsolidimit të brendshëm të vendit, forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit dhe të gjitha mekanizmave të sigurisë.

Haradinaj e ka njoftuar Zëvendës-Ndihmës Sekretarin Marocco për të arriturat në Kosovë në përmbushjen e reformave, zhvillimin ekonomik dhe në fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit, njofton Klan Kosova.

“Qeveria është duke punuar në fuqizimin e rendit dhe ligjit. Ne kemi institucione kredibile që mund të kontribuojnë në ruajtjen e paqes në vend dhe rajon”, tha ai duke theksuar gjithashtu se fuqizimi i subjektivitetit ndërkombëtar të vendit duke u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare do t’i mundësojë Kosovës që të japë kontributin e saj në sigurimin e paqes së qëndrueshme.

Zëvendës-Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Çështjen e Parandalimit të Konflikteve tha se SHBA-ja vlerëson sukseset që ka shënuar Kosova dhe do të jenë mbështetës në rrugën e saj euroatlantike./klankosova