Nuk është një shtet, por dy që kanë dhuruar vaksinat e para antiCovid për Shqipërinë. Është ky mendimi i analistit Baton Haxhiu, i cili këtë të hënë në studion e “Opinion” tha se emrat e vendeve nuk janë bërë publike për arsye sepse vaksinat ishin të dedikuara për njerëzit e tyre.

“E para punës një fjali që më bëri përshtypje nga kryeministri ishte “unë jam lypësi më i mirë i të gjithë lypësave për vendin tim, ose për qytetarët e mi”. Fakti që është një fjali e tillë tregon se nga dy vende ka marrë vaksinën. Për hir të konfidencialitetit nuk bëhen publike për arsye se vendet nuk kanë dashur të bëhen publike sepse realisht ato vaksina ia kanë dedikuar njerëzve të tyre. Shikojeni datën 1, kryeministri thotë që me datën 11 do të vaksinohen mantel bardhët dhe një pjesë e trupës shëndetësore”.

Gazetari Blendi Fevziu e pyeti analistin për emrin e vendit, por ai refuzoi që ta tregonte. Megjithatë tha se pas nisjes së vaksinimit sot, dozat e ardhshme që do të vijnë do të jenë të Pfizerit direkt.

Blendi Fevziu: As ti nuk e di nga kanë ardhur? Nuk ka mundësi ti mos ta dish.

Baton Haxhiu: Po pse ta flas? Nëse nuk e flet kryeministri pse ta flas unë?

Shqipëria nisi vaksinimin kundër koronavirusit sot. E para që mori vaksinën në vendin tonë ishte shefja e Infektivit, Najada Çomo, ndërsa më pas injeksioni iu dha edhe kryeministrit Edi Rama./tvklan.al