Urdhër për mbajtjen e tyre në spitale në Spanjë dhe SHBA

Shtimi i infektimeve me COVID-19 dhe me gripin e zakonshëm ka nxitur autoritetet në disa vende të kthejnë në fuqi rregullin e periudhës së pandemisë për mbajtjen me detyrim të maskave.

Në Spanjë, 5 rajone përfshirë Katalonjën vendosën mbajtjen me detyrim të maskave në të gjitha qendrat shëndetësore, si për pacientët ashtu edhe për stafin mjekësor.

Në Aragona, njërin prej këtyre rajoneve, veç detyrimit në qendrat shëndetësore, rekomandohet që maskat të mbahen edhe në ambiente të tjera publike ku ka grumbullime masive njerëzish.

Edhe në qytetin e Nju Jorkut, autoritetet urdhëruan mbajtjen e maskave me detyrim në klinika e spitale, pavarësisht se niveli i infektimeve është 20 herë më i ulët se kur ky urdhër ishte në fuqi në shkallë kombëtare.

Maskat me detyrim është urdhëruar të mbahen edhe në disa spitale në Kaliforni, Ilinois, Mesaçusets, Karolinën e Veriut, Uashington e Uiskonsin.

Grumbullimet masive për festat e fundvitit shtuan përhapjen e virozave. Spanja dhe Shtetet e Bashkuara ishin ndër vendet e fundit në botë që shfuqizuan rregullat e rrepta kundër përhapjes së koronavirusit në 2022-shin.

Tv Klan