Shqipëria ka një hero të ri. Ai quhet Armando Broja. Talenti 20-vjeçar është në vëmendjen e tifozëve dhe mediave në këto momente. I riu mundi që të shënonte një gol të bukur në ndeshjen ndaj Crystal Palace duke bërë që të festojnë tifozët e Southampton.

Por sipas mediave britanike, tashmë tifozët e Chelsea, skuadra që ka në pronësi kartonin e shqiptarit, mund të mërziten me të drejtë pse sulmuesi nuk është në ekipin e tyre. Sipas tyre, futbollisti është gati që të ketë ndikim edhe në Stamford Bridge.

Broja numëron 6 gola për Southampton dhe ka vetëm 5 ndeshje titullar. Fillimisht huazimi pati uljet dhe ngritjet e veta. I pari që e kritikoi Brojën ishte trajneri Ralph Hasenhuttl. Ai e përshkroi si nisje të ngadaltë ardhjen e sulmuesit shqiptar, madje kishte dyshimet e veta nëse 20-vjeçari donte që ta provonte veten në Premier League.

Sipas asaj që shkruajnë mediat Broja ka zhvilluar në zyrën e trajneri një bisedë shumë serioze, ku i ka bërë të qartë se çfarë pret nga sulmuesi. Pjesën tjetër, Armando Broja bëri detyrën e vet. Shënoi gola dhe ka bërë lojëra shumë të mira.

Për gazetarët anglezë, Broja ka një karakteristikë shumë të veçantë që ka të bëjë me momentin kur e gjuan topin drejt portës dhe jo se si apo nga ku godet. Një tjetër karakteristikë tjetër që e dallon është qetësia. “Shumë pak moshatarë të tij e kanë këtë cilësi”, shkruajnë më tej mediat.

Broja shënon çdo katër gjuajtje. Edhe golin ndaj Crystal Palace ekspertët e analizojnë në detaje. Broja ka përdorur instinktin, precizionin dhe fuqinë në këmbët e tij për të mposhtur portierin. Sipas tyre ishte një gol i llojit të lojtarëve që kanë besim se do të shënojnë.

Si çdo 20-vjeçar edhe Broja ka mundësinë që të përmirësojë veten. Megjithatë Chelsea dhe menaxheri i bluve, Thomas Tuchel kanë mundësinë që të kenë në dispozicion një lojtar me cilësitë më të mira.

Në kthimin e tij në Londër, Broja do të përballet me një betejë të vërtetë. Përballë ka Kai Havertz, Rumelu Lukaku e Timo Werner. Njëri nga këta duhet të largohet për t’i liruar hapësirë shqiptarit, ose vetë sulmuesi 20-vjeçar do duhet të shkojë në një huazim tjetër. Megjithatë besimin nga “Blutë” e ka pasi ka një kontratë me ta./tvklan.al