3 persona përfunduan në prangat e autoriteteve policore në Durrës, pasi akuzohen për gjobëvënie ndaj një biznesmeni. Pas një hetimi me metoda speciale, në pranga përfundoi Lulzim Zalla, 45 vjeç, banues në Fushë Krujë, person me rrezikshmëri të lartë në fushën e krimeve ndaj personit, Egi Shullazi, 26 vjeç, banues në Krujë dhe Klodian Estrefi, 40 vjeç, banues në Xhafzotaj, Durrës.

Sipas policisë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin me anë të kanosjes dhe dhunës, të arrestuarit kanë shtrënguar për dhënien e një pasurie prej 50 000 eurosh biznesmenin me iniciale N. L., banues në Durrës.

“Gjatë operacionit, në momentin e ndërhyrjes, Policia sekuestroi shumën 5000 euro, të cilën e kishin vënë si këst të radhës për t’u paguar nga shtetasi N. L. Gjithashtu në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dhe 3 aparate celulare dhe 1 automjet”, thotë policia në një njoftim për mediat.

Autoritetet përcollën gjithashtu pamjet e operacionit që çoi në kapjen e 3 personave më lart. /tvklan.al