FIFA dhe UEFA i kanë kërkuar sqarime Federatës Spanjolle të Futbollit pas dyshimeve për korrupsion në marrëveshjen me Arabinë Saudite për zhvillimin e Superkupës atje.

Gazeta “AS” ka siguruar letrën drejtuar presidentit të komanduar, Pedro Roche, ku kërkohet të raportohet mbi arsyet e hetimit dhe të specifikohen emrat e personave të përfshirë. Sqarime kërkohen edhe për hapat që po ndjek vetë federata iberike në këtë çështje.

Sipas mediave në Spanjë, ky është hapi paraprak që zakonisht ndërmerr FIFA përpara se të mbikqyrë apo ndërhyjë në federatat anëtare të saj. Drejtuesi aktual i Federatës Spanjolle të Futbollit pritet të takojë javën e ardhshme të dërguarit e FIFA-s për të diskutuar për dyshimet e ngritura nga drejtësia, sipas radios Cadena Ser.

Pak ditë më parë pati kontrolle nga policia në selinë e Federatës Spanjolle të Futbollit ku nuk munguan edhe arrestimet, ndërsa u aludua edhe për rrezik të oragnizimit të Botërorit të 2030 në Spanjë. Në këtë çështje janë të përfshirë edhe ish-presidenti Luis Rubiales dhe ish-futbollisti Gerard Pique.

Tv Klan