Një i ri shqiptar është dënuar me burg pasi u kap në një fabrikë kanabisi në Teesside të Birmingham-it. F. Sherri, 23 vjeç, u kap duke u munduar të arratisej nga pjesa prapa shtëpisë gjatë një aksioni të policisë. Ata gjetën 165 rrënjë kanabisi në katër dhoma të ndryshme të banesës.

Vlera e drogës shkonte nga 46 mijë deri në 138 mijë paund. Sherri deklaroi para autoriteteve se kishte ikur nga Shqipëria për shkak të problemeve me tokat dhe kërcënimeve që kishte marrë.

Ai tha që e kishin dërguar në Birmingham dhe kur kishte arritur fabrika kishte qenë edhe më përpara në funksion. Gjykata e Kurorës në Teesside dëgjoi se të paktën tre persona ishin shfrytëzuar si “kopshtarë” për fabrikat e kanabisit.

Mediat shkruajnë se të tre këta persona janë hetuar në tre çështje të ndryshme. Në një tjetër rast bëhet fjalë për një shqiptar tjetër, i cili ka deklaruar se kishte arritur në Angli nga Irlanda për shkak të borxheve.

E. Harrari, 24 vjeç, tentoi gjithashtu të arratisej gjatë një aksioni policor në Thurnaby mëngjesin e 6 Nëntorit. Ai qëndronte në një banesë ku u gjetën 226 rrënjë kanabis, vlera e të cilave shkonte mbi 189 mijë paund.

Avokatja mbrojtëse tha se i riu shqiptar i detyrohej 8000 euro një rumuni që e kishte sjellë në Britani. Pasi punoi në ndërtim në disa kohë, e kishin dërguar në shtëpinë në Thurnaby. Ai ishte kërcënuar për shkak se huadhënësit i kishin thënë që njihnin familjen në Shqipëri.

Ndërkohë nga ana tjetër Sherri ishte hidraulik me përvojë. Ai mendonte se duke shkuar në Britani do të gjente një punë të ndershme, por përfundoi duke rritur bimët e kanabisit.

Dy shqiptarët nuk kishin pasur dënime të mëparshme. Gjykatësi e pranoi faktin që ata ishin shfrytëzuar nga kriminelët. Megjithatë dha 16 muaj burg për Harrarin dhe 13 muaj burg për Sherrin.

Burg u dha edhe për një shqiptar tjetër, 23-vjeçarin H. Bruci. Në banesën e tij u gjetën 213 rrënjë kanabis. Shqiptari deklaroi se ishte detyruar të ujiste rrënjët e drogës pasi kishte frikë të largohej. Ai do të vuajë dënimin me 36 javë burg. /tvklan.al