Komisioni i Ekonomisë ul në 2% taksën e rivlerësimit të shtëpive

Kuvendi do të miratojë dy projektligje fiskale të cilat do të heqin tatimin mbi vlerën e shtuar për lëndët e para që do të importohen gjatë procesit të rindërtimit të shtëpive pas tërmetit dhe taksën e infrastrukturës për këto kategori ndërtimesh.

Amendimet do t’i bëjë kryetari i Komisionit të Ekonomisë Arben Ahmetaj, por nisma sipas tij bëhet në emër të qeverisë.

Deputetët miratuan gjatë mbledhjes së komisionit edhe nismën për rivlerësimin e pasurive të patundshme, e cila pritet të hyjë në fuqi në janar të vitit të ardhshëm. Dëmtimet e tërmetit shërbyen për miratimin e propozimit të deputetes Gjylameti, për të ulur tatimin e rivlerësimit nga 3 në 2%.

Nisma i jep mundësi qytetarëve që deri në gusht të 2020-s të deklarojnë vlerën e tregut të shtëpisë së tyre duke paguar tatim për  diferencën mes çmimit fillestar të blerjes dhe atij që është sot vetëm 2%, nga 15% që është sot tatimi mbi fitimin për këto shitje.

Nga kjo mundësi llogaritet të përfitojnë mbi 50 mijë pasuri të patundshme, çka do të gjenerojë afro 35 milion dollarë të ardhura për buxhetin e shtetit.

Tv Klan