Sot është një ditë e veçantë, Dita Botërore e Ndërgjegjësimit Global Rreth Autizmit. Ashtu si çdo vit, monumentet kryesore në të gjithë botën sot ngjyrosen me blu, ngjyra e cila është simbol i autizmit. Që nga viti 2007, Kombet e Bashkuara kanë zgjedhur 2 Prillin si Ditën Botërore për Ndërgjegjësimin e Autizmit. Një mundësi për të folur për këtë çrregullim delikat neuropsikik dhe për të mos harruar familjet dhe njerëzit të cilët duhet të ndeshen me autizmin çdo ditë. Emisioni “Historia Ime” që transmetohet në Tv Klan, udhëtoi drejt Durrësit, në qendrën që u jep shërbime personave me aftësi të kufizuar.

Gazetarja ka qëndruar me fëmijët autikë, trapistët e psikologet për t’u njohur më afër me botën e tyre. Ndërsa në studio ishin të ftuara dy nëna që kanë fëmijë autikë Afërdita Keta dhe Edlira Bejtulla për të folur për vështirësitë që po hasin për t’i rritur këta fëmijë. Të ftuar kanë qenë edhe dy të rinj Klarisa Rexhvelaj dhe Klevis Alliu që kanë nisur një nismë “Unë besoj në mrekulli”, e cila i mundëson fëmijëve autikë shërbime dentare falas. Mamatë e dy fëmijëve autikë shprehen se ata shpesh paragjykohen, poshtërohen dhe nuk pranohen nga shoqëria.