Në “Opinion’ mbrëmjen e sotme është folur për historikun e tërmete që kanë lënë gjurmë të forta në Shqipëri.

Gazetari Ferdinand Dervishi ka folur për tërmetet më të forta që janë regjistruar në vendin tonë, atë të Durrësit dhe të Shkodrës, por dhe atë të Vlorës dhe Beratit në 1851, ku sipas tij ndodhi një fenomen i çuditshëm, pasi në Berat nga lëkundjet e forta ka pasur një shkëputje të një maje mali.

Dervishi: Ne duhet të përgatitemi edhe për disa muaj për paslëkundjet, sepse nëse marrim rastin e 97’, ka pasur për 9 muaj paslëkundje. Nga tërmetet që ne kemi ndjekur, është ai i Shkodrës dhe i Durrësit, por unë doja të rrija pak tek ai i Durrësit, në 1273, tërmeti që varrosi Durrësin dhe e bëri për 20 vjet të pabanueshëm… pra mendoni se çfarë kanë parë ata me sytë e tyre.

Nuk ka të dhëna sa kanë vdekur por ka një përshkrim të një historiani bizantin, i cili thotë se njerëzit nuk dilnin dot nga rrënojat se shtëpitë ishin bërë afër njëra- tjetrës, i njëjti fenomen dhe sot, dhe thotë se kur panë dhe shkumëzimin e detit,  duket se ajo është shoqëruar dhe me ndonjë cunam të lehtë, thotë se nuk ishte fillimi i agonisë por ishte praktikisht fundi i botës.

Tërmet tjetër i fuqishëm është ai i tetorit më 1851 me qendër në Vlorë, dhe kemi një gravurë të publikuar në të njëjtin vit në një revistë gjermane, që tregon se njerëzit janë terrorizuar aq shumë se çfarë po ndodh me tokën, dhe janë futur në varka dhe kanë ik në det, ndërkohë që deti ka pas 66 cm cunam, pra është shumë e çuditshme ajo që ndodh me njerëzit. Dhe ky tërmet ka prekur gjithë Shqipërinë e jugut, duke varrosur një batalion ushtarësh të perandorisë osmane që ishin në kalanë e Beratit.

Ka dhe një detaj tjetër, një fenomen i çuditshëm, në zonën e Beratit, ku ka rënë një majë mali, është shkëputur një majë malikaq thonë dhe nuk japin detaje të tjera. /tvklan.al