Dështojnë bisedimet e partive në vend për të formuar qeverinë e re

Holanda nuk ka arritur ende të formojë qeverinë e re pas më shumë se shtatë muaj pas zgjedhjeve parlamentare.

Partitë kryesore politike nuk kanë arritur të gjejnë gjuhën e përbashkët duke sjellë në këtë vend një peisazh politik të përçarë. Kjo e premte shënoi 226 ditë bisedime për formimin e qeverisë në Holandë që është praktikisht edhe  kohëzgjatja më e madhe në historinë e vendit.

Katër parti janë aktualisht duke negociuar për të vazhduar koalicionin aktual, nën drejtimin e kryeministrit Mark Rutte. Sidoqoftë, ai tha se ”nuk pret një rezultat të shpejtë”. “Ka ende shumë për të bërë”, tha ai.

Koalicionet e qeverisë holandeze shpesh kërkojnë muaj për t’u formuar, por bisedimet paszgjedhore të këtij viti janë zvarritur më shumë se zakonisht.

Rekordi i mëparshëm prej 225 ditësh u vendos në vitin 2017, kur politikanët po punonin për të formuar kabinetin e tretë të Ruttes.

Rekordi botëror mbahet nga Belgjika fqinje ku përgjatë viteve 2010-2011, vendit iu deshën 541 ditë për të formuar një qeveri.

Mungesa e një qeverie plotësisht funksionale duket se nuk  e ka dëmtuar ekonominë holandeze. Ajo po rimëkëmbet shpejt pas COVID-19 dhe ka një nga normat më të forta të rritjes ekonomike në Evropë.

Zgjedhjet e marsit u fituan nga Partia Popullore për Liri dhe Demokraci e udhëhequr nga Mark Rutte, i cili është kryeministër që nga viti 2010. Por me vetëm 22% të votave, ai  ka nevojë për mbështetjen e të paktën tre partnerëve të rinj për të siguruar një shumicë në parlament.

Klan News