Teksa kriza e emigrantëve është rikthyer në shqetësimin kryesor të Bashkimit Europian, Hungaria ashpërson më tej masat për pranimin e tyre.

Parlamenti hungarez miratoi ndryshimet kushtetuese që parashikojnë shtrëngim të procedurave për përfitimin e azilit dhe ndalimin e emigrantëve ekonomikë, nga vende që konsiderohen të sigurta.

Një tjetër pikë e shumë debatuar e paketës së re të masave anti-emigrantë, është dënimi me burg për këdo që ndihmon emigrantët që nuk janë në proces azili, përfshirë edhe organizatat joqeveritare.

Ligji kundër OJQ-ve që ndihmojnë emigrantët, njihet ndryshe edhe si paketa “Stop Soros”, pasi qeveria hungareze prej kohësh i ka shpallur luftë të hapur organizatave që financohen nga miliarderi amerikan.

Kryeministri konservator Viktor Orban, e fajëson Sorosin si arkitektin e valës së emigrantëve në Europë në vitin 2015, me qëllim destabilizimin dhe islamizimin e kontinentit.

Nisma e Orban për të ashpërsuar rregullat për emigrantët kundërshtohet fort nga BE, por kryeministri hungarez shqetësohet pak për udhëzimet që vijnë nga Brukseli.

Tv Klan