Kundërshtohet mbyllja e lokaleve dhe restoranteve

Nadire Mehmeti ka 10 muaj që ka hapur lokalin e saj bashkë me bashkëshortin.  Me të hapur biznesin në mars u detyruan ta mbyllin për shkak të situatës me pandeminë. Qeveria me masat e reja ka vendosur që të mbyllen lokalet nga ora 21:00  me qëllim të parandalimit të përhapjes së Covid 19 nuk u ka pëlqyer fare gastronomëve.

Hapja e pjesshme dhe tani sërish mbyllja e tyre në orën 21:00 po  I kushton biznesit të Nadires që ka 10 punëtorë. Thotë se janë të detyruar që punonjësve t’ua zvogëlojnë pagat në mënyrë që të mos detyrohen të largojnë ndonjërin nga puna.

Qeveria së fundmi në kuadër të planit për rimëkëmbje ekonomike u ka ndihmuar bizneseve me nga 290 euro për punonjës për një muaj. Qeveria me masat e reja ka vendosur që pas orës 21:00 në lokalet e Kosovës vlen vetëm shërbimi që merret me vete.

Ndërsa brenda orarit në lokale duhet të respektohet distanca ndërsa çdo tavolinë duhet të jetë e pajisur me dezinfektues. I njëjti orar vlen edhe për qendrat tregtare.

Ndalohen gjithashtu tubimet publike përfshirë seminaret punëtoritë, ahengjet dhe çfarëdo grumbullimi tjetër. Transporti publik do të punojë me kapacitete të përgjysmuara, ndërsa konviktet dhe mensa e studentëve do të punojnë duke respektuar rekomandimet e IKSHP-së.

Personat me sëmundje kronike dhe gratë shtatzëna lirohen nga paraqitja në punë. Ndërsa të moshuarve mbi 65 vjeç u lejohet dalja jashtë shtëpisë nga ora 6:00 e mëngjesit deri në orën 10:00 dhe nga ora 16:00 deri në orën 19:00.

Ndërsa kanë dërguar personel mjekësor nëpër pikat kufitare, deri si masë reciprociteti personave që vijnë nga jashtë u kërkohet testi PCR.

Tv Klan