Kapiteni i Kombëtares Shqiptare të Futbollit, Elseid Hysaj u shpreh i zhgënjyer pas humbjes 2 me 1 në Izrael.

Duke folur pas ndeshjes për mikrofonin e Tv Klan, Hysaj kritikoi të rinjtë e kombëtares duke thënë se duhet të japin maksimumin në fushën e lojës dhe se ju mungon entuziazmi.

Ai theksoi se të rinjtë nuk kanë agresivitetin e brezit më të vjetër të kombëtares kuqezi. Por nga gabimet në fushë nuk përjashtoi as veten e tij.

“Besoj se në kombëtare na mungon një si Andi Lila, që kishte agresivitetin e tij. Besoj se na duhet këtu në kombëtare, pasi edhe çunat e rinj po shikoj që nuk po japin aq shumë sa kemi dhënë ne, a të tjerët para nesh.

Mungon kjo, kemi dhe shumë mungesa të tjera. Si unë si shumë të tjerë gabojmë në disa raste që nuk duhet të gabojmë, por në futboll ndodh. Por ajo që më bezdis më shumë është se me të vërtet nuk shikoj shpirtin që kemi pasur dikur, që kush ka hyrë në fushë i ri apo i vjetër ka dhënë maksimumin.

Këtë nuk e di, duhet ta kuptojmë po evoluimi i futbollit është duke i qetësuar të gjithë lojtarët e rinj. Nuk e kuptoj. Ne kur kemi ardhur të luajmë me kombëtaren kemi dhënë maksimumin në fushë. Edhe pse kemi humbur, kemi bërë gjithë maksimumin tonë.

Këtë duhet ta shpjegojmë edhe ne por duhet të analizojmë edhe ndeshjen se nuk mund të hamë gol në port. Normale që është gabim, por duhet të sigurohemi kur të jemi mbrapa mos të gabojmë më shumë. Të gjithë lojtarët mund të gabojnë, por nuk e di. Duhet ta mendoj edhe unë. Edhe tani po mendoj me vete pse ndodhi, por akoma nuk po e gjej përgjigjen tamam”, tha Elseid Hysaj. /tvklan.al