I revoltuar me qeverinë shqiptare, por edhe me policinë u shfaq kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi këtë të martë, teksa i shoqëruar nga përfaqësues të kësaj partie dhe shoqatës Çamëria, doli në protestë përpara Ministrisë së Jashtme, për të kundërshtuar vizitën zyrtare të Ministrit të Jashtëm grek, Nikos Dendias. Protestuesit u penguan nga policia, e cila e cilësoi tubimin të paligjshëm. Kjo solli reagim të ashpër nga Idrizi.

“Jemi në Shqipëri apo jemi në Greqi? Nuk lejohemi për të bërë një protestë paqësore për t’i kujtuar Ministrit të Jashtëm grek kur do heqin ligjin e Luftës me Shqipërinë, sepse këtu po bëhet një situatë lufte. Kur do të kërkojnë falje për tragjedinë mbi shqiptarët e Çamërisë, mbi okupimin e Çamërisë, mbi të drejtat e tyre dhe për shumë çështje”.

Idrizi akuzoi Kryeministrin Edi Rama se është shndërruar në Kalin e Trojës së Greqisë dhe se ka fshehur axhendën shqiptare në krahasim me Greqinë.

“Pse jam i detyruar t’i kujtoj eunukut që kemi vënë këtu, t’i kujtoj Edi Ramës që e filloi këtë punë duke bërë një rezolutë për shqiptarët e Çamërisë që do dilte 1 herë 6 muaj, që do të raportonte në parlament dhe që betohej më shumë sesa ne te kopshti i basketbollit për çështjen çame. Dhe na u kthye nga kalorësi i Çamërisë, në Kalin e Trojës së Greqisë. Sigurisht që ne nuk ka forcë që të na mbajë dhe ne jemi në gjithë të drejtën tonë  që të protestojmë. Sepse qeveria shqiptare ka fshehur axhendën shqiptare në krahasim me Greqinë. Sot ka avancuar vetëm axhenda e greke”./tvklan.al