Këtë vit, festivali më prestigjioz i filmit, ai i Cannes, celebron 20 vjetorin e “In The Mood For Love”. Është seksioni i klasikëve, atyre regjisorëve që me prodhimet e tyre, i dhanë jetë filmave më të mirë të kinematografisë botërore.

I tillë është “In the Mood For Love”, i regjisorit kinez Wong Kar-wai, që në gjuhën mëmë përkthehet, “Koha e lulëzimit”. Me rastin e 20-vjetorit të këtij filmi, që në vitin 2000 fitoi Çmimin e Madh të Komisionit më të lartë Teknik të Kinemasë, është restauruar dhe është i disponueshëm tashmë në formatin 4K e do të transmetohet në edicionin e 73 të festivalit të Cannes, që do të mbahet nga 12-23 Maj 2020, me pjesëmarrjen edhe të vetë regjisorit të jashtëzakonshëm Wong Kar-wai.

Për ekspertët më të mëdhenj të kinematografisë, shpirti i vërtetë i këtij filmi është montazhi, më anë të të cilit u konservua vetëm thelbi esencial, dhe ajo që mbeti, është karakteri i tij. Me një gjuhë regjisoriale të veçantë, Wong kar-wai që herë të kujton Antonionin e herë Bresson, sjell në ekranin e madh një metaforë të jashtëzakonshme. Rezultati: një film i rafinuar me një skenar gjithnjë bashkëkohor, një montazh të përkryer, sikurse e tillë është edhe kolona zanore.

Klan Plus