Analisti Donik Sallova ka folur sot përmes një lidhjeje Skype për Klan News sa i takon incidenteve në veri të Kosovës.

Sallova theksoi se e gjithë situata e krijuar atje është skenar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

“Marrja e detyrës nga të zgjedhurit është një normalitet i këtij procesi, zgjedhjet nuk kanë kuptim nëse nuk e marrin detyrën ata që janë zgjedhur. Vuçiç sot e futi në lojë skenarin rezervë që ai kishte pasur me synimin që ta përshkallëzojë situatën në veriun e Kosovës.”

Lidhur me reagimin e Shteteve të Bashkuara, analisti tha se ishte befasues pasi Policia e Kosovës po mbron sigurinë e institucioneve publike dhe kryetarëve të zgjedhur.

“Reagimi faktikisht ishte befasues për nga ashpërsia sepse Shtetet e Bashkuara e kanë përshëndetur procesin e mbajtjes së zgjedhjeve në veriun e Kosovës, e kanë dënuar bojkotin dhe e kanë cilësuar bojkotin e serbëve si një instrument që nuk e përcakton fatin e zgjedhjeve. Ju e dini që Shtetet e Bashkuara i kanë njohur zgjedhjet edhe pa pjesëmarrjen e opozitës apo ndonjë faktori politik, edhe në Serbi në vitin 2019, ata  e kanë njohur pushtetin që doli nga zgjedhjet pavarësisht se i bojkotoi opozita.

Edhe në Shqipëri po ashtu, praktikisht në Kosovë ata e njohën rezultatin zgjedhor, por sot ata i quajtën masa të dhunshme të Policisë së Kosovës për t’i garantuar një të zgjedhuri marrjen e detyrës. Pra të barazosh masat që merr policia për sigurinë e institucioneve publike me reagimin  e bandave kriminale të orkestruara nga Vuçiç, mua më duket qëndrim i paqartë, për të mos thënë me dy standarde.”

Ndërsa për qëndrimin e Bashkimit Evropian, analisti u shpreh: BE e dënon kryesisht dhunën ndaj pjesëtarëve të EULEX-it, ne nuk kemi dëgjuar deklaratë që thuhet dënohet dhuna ndaj policisë së Kosovës. Pra, për BE, policia dhe grupet e armatosura janë palë të barabarta.

“Në dialog palët kanë rënë dakord që të mos marrin masa që konsiderohen nxitëse të dhunës në veriun e Kosovës, por nëse pengimi i shtrirjes së shtetit ligjor atje përmes marrjes së detyrës nga kryetarët e zgjedhur konsiderohet provokuese, atëherë këtu vërtetë unë për vete nuk pajtohem. Duhet të ketë një formë për ta normalizuar veriun e Kosovës, shtoi më tej Sallova.

Kujtojmë që ditën e sotme ka pasur përplasje mes policisë së Kosovës dhe qytetarëve serbë në Leposaviç, Zubin Potok dhe Zveçan. Shkak u bë hyrja në objektet komunale të 3 kryetarëve të dalë nga zgjedhjet e 23 Prillit./tvklan.al