Incidenti tek FRD, Meta: Banda dhunon pluralizmin



Incidenti tek FRD, Meta: Banda dhunon pluralizmin

15:36 15/03/2021

Veliaj: Nuk jemi parti e dhunës. Rama: Zgjidhja mes drejtësisë dhe Metës

Kreu i shtetit, Ilir Meta ka publikuar dokumente, që sipas tij tregojnë paligjshmërinë e ndërhyrjes së Bashkisë së Tiranës për marrjen e selisë së FRD-së. Meta tha se kontrata mes dy institucioneve parashikonte që në rast mosmarrëveshjeje, konflikti të zgjidhej në gjykatë.

“Sulmi i dhunshëm ndaj FRD si forcë opozitare, vetëm pak ditë të nënshkrimit me PD-në të një marrëveshje, është sjellje provokuese e maxhorancës. Maxhoranca tenton të minojë pluralizmin politik në vend. Bashkia Tiranë nuk ka asnjë autoritet ta zgjidhë me vetëgjyqësi këtë çështje. nëse do e konsideronte një mosmarrëveshje do e dërgonte në gjykatën administrative siç kanë rënë dakord në marrëveshjen e nënshkruar. Çdo veprim tjetër i kryer për lirimin e ambienteve, jo vetëm që është antikushtuetes, por përmban elementë të veprës penale. Doni më fakte për bandën që kërkon të dhunojë pluralizmin politik, zgjedhjet e lira dhe që pengon dhe presidentin në ushtrimin e detyrave kushtetuese?”.

Por gjatë një interviste në Televizionin Klan ditën që ndodhi incidenti, Kryebashkiaku Veliaj sqaroi se megjithëse kishte vite që prona e Bashkisë mbahej nga FRD, nevojat e Bashkisë ishin të tilla që kërkonin lirimin e godinës.

“Ka 3 vjet që i ka mbaruar kontrata, e kemi sugjeruar disa herë me mirëkuptim lirimin, kemi çuar një njoftim miqësor për t’i shfrytëzuar këto ditë për të bërë lirimin e ndërtesës. Bashkia e Tiranës sot ka marrë me qira gjysmën e Torre Drinit se s’ka hapësira. Godina 7 katëshe është dëmtuar nga tërmeti, duhet ndërtuar nga e para, dhe me të drejtë KLSH thotë ke këto zyra për parti anonime që nuk ju takon me ligj”.

Edhe sot nga Kavaja, kreu i Bashkisë së Tiranës, dënoi reagimin e presidentit për atë që e quajti zaptim të pronës së Bashkisë së Tiranës.

Ndërkohë edhe Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratave të presidentit Ilir Meta, i cili foli me tone të ashpra gjatë ditës së sotme duke paralajmëruar se do të reagojë para zgjedhjeve të 25 Prillit. Me anë të një postimi në Twitter, Rama shkruan se çdo votë ndaj LSI është kundër drejtësisë dhe çdo votë për PD është për Metën e Berishën.

“Sa herë Ilir Meta del, flet, bërtet, shan, lajthit, aq herë e bën të qartë se zgjedhja e 25 prillit është një zgjedhje mes Drejtësisë dhe Ilir Metës; çdo votë për LSI është një votë kundër Drejtësisë dhe çdo votë për PD është një votë për Ilirin e Saliun; Luli thjesht ha përshesh”.

Tv Klan










Të ngjashme