Festë zikaltër në të gjithë Milanon

Kjo është festa e trofeut të 19 të titullit kampion. E ngre trofeun kapiteni Handanoviç. Lumturia shpërthen në San Siro për këtë trofe që i rikthehet klubit pas 11 vitesh.

Gëzojnë futbollistët stafi dhe familjet e tyre, por edhe rreth 1 mijë tifozë të pranishëm në stadium. Zikaltrit e drejtuar nga Antonio Conte e mbyllën sezonin me një fitore të thellë 5-1 ndaj Udinese.

Me radhë ata morën medaljet e kampionit madje duke mbajtur edhe flamujt e vendeve të origjinës.

Duartrokitje edhe për trajnerin Conte dhe stafin e tij si dhe presidentin e skuadrës Steven Zhang. Nuk mjaftohen me trofeun dhe medaljet, nuk mjaftohen teksa bëjnë fotografi edhe me familjarët dhe fëmijët e tyre.

Futbollistët e Inter duan të marrin sa më shumë nga ky moment. Por lumturia më e madhe përjetohet jashtë stadiumit.

Zakonisht në San Siro ishin 65 mijë tifozë të Inter të cilët nuk e tradhtuan skuadrën, madje ishin edhe më shumë rreth e rrotull impiantit. E kishin nisur festën e tyre që në orët e para të mëngjesit. E përjetuan ndeshjen edhe në mungesë të ekraneve gjigandë.

Ndërsa tashmë që heronjtë e tyre morën trofeun gëzimi është i pandalshëm. 3 647 ditë pritën këta tifozë që të festonin edhe një herë. Një turmë e jashtëzakonshme njerëzish jashtë stadiumit me këngë e thirrje mbështetëse për skuadrën e tyre.

Banderola gjigande të organizuara nga ultrasit të cilëve iu bashkuan edhe tifozë të Nice, Valencias dhe Lacios. Duke sfiduar rregullat anti-Covid të gjithë kanë rrethuar autobusin me futbollistë që e ka thuajse të pamundur të çajë mes turmës.

Tashmë mbetet për të kuptuar se cila do të jetë e ardhmja e grupit të futbollistëve dhe stafit të Inter.

Tv Klan