Tea Tairovic, këngëtarja me origjinë serbe ka folur ekskluzivisht për TVKLAN.AL në një intervistë të realizuar nga Redis Kondakçiu rreth versionit të këngës “Hajde luj qyqek” në serbisht dhe jo vetëm për këtë temë.

Ajo ka zbuluar më shumë detaje se si ka nisur ky projekt, por na ka treguar edhe për surprizën e saj të radhës për publikun.

“Hajde” nuk është e vetmja këngë shqiptare që Tairovic e ka sjellë edhe në gjuhën serbe. Tairovic ka bashkëpunuar me një këngëtar të njohur shqiptar për këngën e saj më të re.

Kënga e saj “Hajde” numëron aktualisht më shumë se 12 milionë shikime në platformën YouTube.

E pyetur nga Redis Kondakçiu se përse ajo ka zgjedhur një këngë shqiptare për ta ripërpunuar Tairovic jep këtë përgjigje: “Jam shumë e lumtur për këtë këngë! Muzika e Ballkanit është në zemrën time. Unë dëgjoj shpesh muzikë rumune, greke, bullgare dhe hitet shqiptare. Fillimisht, këtë këngë e kam dëgjuar në versionin bullgar dhe u dashurova me të. Më pas mësova se kënga origjinale ishte në gjuhën shqipe dhe bëra gjithçka që duhet të bëja që ta sillja në versionin tim.”

A ka diçka tjetër që të lidh me Shqipërinë apo vetëm muzika?

“Jam një artiste, performuese… Arti njeh vetëm gjuhën e dashurisë, muzika është ajo që na bashkon.”

Në një intervistë të fundit keni thënë se “Nuk kam fat në dashuri”, por a ka ndryshuar gjë në jetën e saj emocionale? Ende nuk ka fat në dashuri, por vetëm fat në biznes…

“Fatkeqësisht është po e njëjta situatë! Ose fatmirësisht… Unë dashuroj ashtu siç bëj muzikë, duhet të jetë absolutisht e shkëlqyer ose nuk e bëj fare. Ndonjëherë është më mirë të jesh vetëm…”

Si ka ndikuar Covid-19 tek ty?

“Ka ndikuar në çdo fushë të argëtimit, gastronomisë dhe turizmit. Por më e keqja e të gjithave ka ndikuar në shëndetin e të gjithëve dhe lirinë… Po lutem që të mbarojë sa më shpejt!”

Ke dëgjuar ndonjë këngë tjetër shqiptare? Nëse njeh ndonjë nga këngëtarët tanë me cilin prej tyre do të doje të bashkëpunoje?

“Sigurisht që i kam dëgjuar. Shqiptarët kanë vesh të mirë muzike dhe unë do t’ju surprizoj të gjithë shumë shpejt me një tjetër këngë shqiptare…”

Mund të na zbulosh pak më shumë rreth kësaj kënge?

“Kam bashkëpunuar me producentin dhe këngëtarin e njohur shqiptar Irkenc Hyka. Kam bërë një version të mirë të një prej këngëve të tij dhe jam shumë e kënaqur. Kënga do të publikohet së shpejti.”

Do të vini në Shqipëri për të kënduar?

“Unë këndoj për të gjithë njerëzit e mirë kudo në botë! Nëse publiku shqiptar më do mua të performoj për ta, unë do të jem e lumtur ta bëj.”

Në një koment për këtë këngë, këngëtarja serbe shprehet:

“Zemra ime është plot. Respekt maksimal për versionin origjinal “Hajde luj qyqek” dhe autorët e këngës, të cilët më kanë dhënë të drejtat për këtë ripërpunim të këngës në serbisht. Gëzuar për Ballkanin e bashkuar!” /tvklan.al

Intervistoi: Redis Kondakçiu

Ekskluzive Web TVKLAN.AL