Lajme Arkiva – Tv Klan 2000

Në Kosovë gjenden rreth 780 invalid të luftës, të cilët edhe pse kanë sakrifikuar trupin duke luftuar për Kosovën, tashmë nuk gëzojnë as përkrahjen e institucioneve ndërkombëtare. Të paktën invalidët e luftës kanë një shoqatë e cila mbron interesat e tyre. Shoqata është themeluar në Tetor të vitit 1999 dhe tashmë ka një konto bankare, ku derdhen të gjitha ndihmat në paratë e individëve apo shoqërive bamirëse që gjenden kryesisht jashtë Kosovës.

Drejtori i kësaj shoqate, i zhgënjyer me ndihmën e deritanishme nga administrata civile thotë për mikrofonin tonë.

“Administrata e Përkohshme e Kosovës, me në krye zotin Kushner deri më sot, në punën e tyre 14 mujore, nuk ka dhënë asnjë ndihmë, as materiale, as financiare, nuk e ka ndihmuar shoqatën e invalidëve të luftës të UÇK-së”.

Ndërsa kjo është e vetmja qendër rehabilitimi në Kosovë, e cila financohet nga një kompani private. Invalidët e luftës këtu marrin ndihmën mjekësore, e cila është përcaktuar në katër terapi të llojeve të ndryshme. Megjithëse kushtet e kësaj qendre rehabilitimi lënë shumë për të dëshiruar, invalidët duken të kënaqur, duke ditur se kjo është e vetmja mundësi rehabilitimi që ata kanë.

Ndërsa mendohet që shumë shpejt ata të marrin një lloj asistence në bazë të grupit të invaliditetit, që do të fitojnë./tvklan.al

Gazetare – Mirela Milori