Histori me zhurmues – Në vitin 1968 u inagurua uzina e superfosfatit në Laç. Një nga inxhinierët e parë që kanë punuar atje ishte edhe Genc Luarasi.

Ai ishte i ftuar në emisionin “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço nga ku tregoi se si nisi punën në uzinën e superfosfatit në Laç.

“Ka qenë një festë e madhe për Krujën inagurimi i një prej veprave kryesore të industrisë kimike. Realizimi i kësaj fabrike u bë me ndihmën e Kinës. Objekti i uzinës së superfosfatit ishte një dhuratë për atë zonë që pati mundësi të merrte pjesë në prodhimin e superfosfatit. Detyrat për ndërtimin e objektit kanë qenë mjaft të vështira, por u realizuan. Sipërfaqja e kësaj uzine ishte 9.49 hektar. Uzina ishte llogaritur të prodhonte 100 mijë ton fosfat pluhur dhe të kokërrzuar, 40 mijë ton acid sulforik dhe 100 ton klorosidikat natriumi, nënprodukt superfosfati. E gjithë kjo punë u kurorëzua brenda dy vitesh. Për ato që sapo kishin mbaruar studimet ishte fat të punonin në objekte të tilla. Kur u emërova në Laç për mua ishte vlerësim. Unë nisa si teknolog turni. Që kur vajta në Laç qëndroja me saldatorët dhe montatorët dhe kjo më ka ndihmuar të krijoj respektin për punëtorët. Ky objekt shoqërohej edhe me një personel kinez shumë të përgatitur për të dhënë maksimumin. Ka patur një numër të madh të rinjsh që punonin në atë zonë, të cilët kishin ardhur nga 17 rrethe të vendit tonë. Pas 12 vitesh kontribut unë u largova nga detyra e kryeinxhinierit. U largova dhe vazhdova punë në kombinatin e drurit në Tiranë dhe në vitin 1992 me shembjen e industrisë të gjitha objektet e mbyllën misionin e tyre”,tregoi Luarasi.

*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv