Izraeli premton se Teherani do të paguajë çmimin e duhur për sulmin e natës së shkuar ku më shumë se 300 dronë dhe raketa balistike u lëshuan nga Irani si hakmarrje ndaj sulmit në konsullatën iraniane në Damask.

Deklarata u bë nga ministri Benny Gantz teksa po hynte në mbledhjen e kabitetit të luftës.

“Përballë kërcënimit iranian, ne do të ndërtojmë një koalicion rajonal dhe do të marrim çmimin nga Irani në mënyrën dhe kohën e duhur për ne”, tha Gantz.

Gjithsesi vendimin përfundimtar mbi reagimin që do të bëjë Izraeli pritet ta përcaktojë Kabineti i Luftës që është mbledhur nga kryeministri Netanjahu.

Nga ana tjetër Irani paralajmëroi Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara të dielën për një përgjigje shumë më të madhe se ajo e natës së shkuar nëse do të ketë ndonjë hakmarrje për sulmin e tij masiv me dron dhe raketa.

Kundër një përgjigje të Izraelit ndaj Iranit janë shprehur edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat përmes zëdhënësit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby tha se kryeministri Benjamin Netanyahu e di mirë se presidenti Biden nuk po kërkon një konflikt me Iranin dhe se Uashingtoni nuk dëshiron një konflikt më të gjerë rajonal.

Madje mediat amerikane, duke iu referuar një zyrtari të lartë, bënë të ditur se Shtetet e Bashkuara nuk do të marrin pjesë në asnjë kundërofensivë izraelite kundër Iranit.

Mbi 300 drone e raketa u lëshuan nga Irani mbrëmjen e së shtunës në drejtim të territorit të Izraelit. Gjithashtu nuk munguan as dronet të lëshuar nga Hezbollah.

Por shumica e tyre u asgjësuan në ajër duke mos mbërritur dot në territorin e Izraelit.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari tha se 99 për qind e dronëve dhe raketave u rrëzuan. Nga 120 raketat balistike me rreze të mesme veprimi, vetëm disa kanë goditur territorin e Izraelit, konkretisht zonën e bazës ajrore Nevatim, duke shkaktuar dëme të vogla në infrastrukturë. Ndërsa mediat amerikane raportojnë për 31 persona që kanë marrë lëndime të lehta nga sulmi.

Për rrëzimin e droneve kërcënuese, në ndihmë të Izraelit erdhën forcat ushtarake amerikane, britanike dhe franceze, ndërsa një ndihmesë mësohet se ka dhënë edhe Jordania.

Ndërsa këto janë festimet në Iran pas lëshimit të droneve dhe raketave drejt Izraelit.

Tv Klan