Inspektoriati Shtetëror Teknik Industrial ka reaguar për shpërthimin e ndodhur një natë më parë në rafinerinë e naftës në Ballsh.

Sipas këtij institucioni, ngjarja ka ndodhur gjatë vënies në punë të impiantit të hidropastrimit të karburanteve dhe shkak i këtij shpërthimi është bërë mosrespektimi i rregullave teknike të shfrytëzimit.

Sipas ISHTI-t gjatë vënies në punë të pajisjes u rrit presioni hidrogjen 3 herë mbi normalen në mënyrë të menjëhershme dhe nuk ka funksionuar valvula e sigurimit të pajisjes që bën mbrojtjen e saj.

Konkluzionet e ISHTI-t për ngjarjen do t’i vihen në dispozicion Prokurorisë për kryerjen e hetimeve prej saj. Do jetë Prokuroria ajo e cila permes hetimeve do të zbardhë plotësisht ngjarjen.

Si pasojë e shpërthimit të ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së shkuar humbi jetën 40 – vjeçari Shkëlqim Muça, nga Ballshi, punonjës i rafinerisë, ndërsa 5 të tjerë u plagosën.

I lënduar ka mbetur edhe një zjarrëfikës, Gramoz Fejzo.

Ngjarja ndodhi në repartin numër 3 të Uzinës së përpunimit të naftës, si pasojë e shpërthimit të një bombule hidrogjeni. 

Pas shpërthimit uzina u përfshi nga flakët. Situata u vu nën kontroll me mbërritjen e zjarrfikësve nga Ballshi, Fieri, Tirana dhe Vlora.

Në momentet e zjarrit, në uzinë ishin në turn 300 punonjës, të cilët u larguan me shpejtësi nga ambientet e punës./tvklan.al