Ishulli i pushtuar nga nafta


Ishulli i pushtuar nga nafta

21:50 10/08/2020

Vullnetarë të shumtë janë mbledhur për të larguar naftën dhe vajra të ndryshme prej brigjeve të ishullit Mauritius, pas përplasjes së një anije mallrash në një gumë koralesh që barte rreth 4 mijë ton naftë.

Ngjarja ndodhi më 25 Korrik në ujërat e Oqeanit Indian, ku banorët po punojnë për të ndërtuar barriera prej kashte dhe thasë me pëlhura, me qëllim për të thithur vajin nga ujërat e oqeanit.

Ishulli Mauritius njihet ndryshe edhe si shtëpia e shkëmbinjve koralorë më të njohur në botë, mjaft të pëlqyer nga turistët, që janë një element kryesor në ekonominë e vendasve.

Mediat lokale raportojnë se vullnetarët mbledhin kashtë nga fusha edhe thasë për të ngritur barriera për të pastruar plazhet e ishullit. Por veprimet e tyre po shkojnë në kundërshtim me ligjin pasi qeveria u ka kërkuar banorëve që t’ia lënë pastrimin autoriteteve lokale.      

Helikopterët po punojnë për të zhvendosur disa nga karburantet dhe naftën që ndodhet në bordin e anijes të dëmtuar. Deri tani mendohet të jetë derdhur të paktën 1 mijë ton naftë në ujërat e ishullit.

Nga ana tjetër ekspertët dhe ambientalistët janë të shqetësuar për situatën e krijuar nga rrjedhja e naftës, pasi do të ndikojë në ekosistemi e vendit. Ky ishull është në mbrojtje nga konventa e Ramsar për ligatinat që e bëjnë atë një vend të rëndësisë ndërkombëtare.

Flora dhe fauna në këtë ishull është e larmishme, por ekspertët bëjnë thirrje se shumë lloj kafshësh janë të rrezikuara pasi mund të ndoten në brigjet e ishullit që është i ndotur, si edhe rreziku për shëndetin dhe sigurinë e ushqimit tek banorët.

Klan Plus




Të ngjashme