Meta: Urimet më të përzemërta për gjeniun e letrave dhe të mendimit shqiptar

Shkrimtari Ismail Kadare feston këtë të martë 84-vjetorin e lindjes. Në këtë ditë të rëndësishme ka zgjedhur ta urojë edhe Presidenti i Republikës Ilir Meta. Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i shteti i uroi Kadaresë suksese të reja në krijimtarinë e tij.

“Gjeniu i letrave dhe i mendimit shqiptar, simboli i vokacionit tonë perëndimor, Ismail Kadare, kolosi krijues me përmasa botërore, që na bën krenar të gjithëve, feston sot 84-vjetorin e lindjes. Në këtë datë të shënuar, jo vetëm për të dhe familjen e dashur Kadare, por për mbarë kombin shqiptar, i shpreh shkrimtarin tonë Ismail Kadare, urimet më të përzemërta, shëndet e jetë të gjatë dhe suksese të reja në krijimtarinë e tij të ndritur”, shkruan Meta.

Më 31 Dhjetor, Kadare u nderua nga Presidenti i Francës Emmanuel Macron me titullin “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”. Më herët gjatë 2019-s, ai fitoi çmimin “Neustad” ose siç njihet ndryshe “Nobeli” amerikan. Gjatë Shtatorit, ai u shpall fitues i çmimit ndërkombëtar “Pak Kiongi” që jepet nga Koreja e Jugut./tvklan.al