Kalojnë Kinën për numrin e të infektuarve

Italia dhe Spanja shënuan këtë të hënë të njëjtin numër viktimash ditore, nga 812. Totali i të vdekurve nga koronavirusi në Itali arriti në afro 11 e 600, ndërsa në Spanjë 7340.

Por nga Italia vijnë këtë fillim jave shifra tepër optimiste. Ka pasur mbi 1600 të infektuar të rinj brenda 24 orëve, më pak se gjysma e atyre që rezultuan pozitivë të dielën. Të infektuar aktualisht janë afro 76 mijë njerëz. Shifër rekord të shëruarish, ku brenda 24 orëve rezultuan negativë 1648 pacientë, mbi 14 mijë në total.

Në drejtim të kundërt po ecën Spanja ku shifrat e të infektuarve vijojnë të rriten me ritme të shpejta. 24 orëshi i fundit shënoi 5085 të infektuarit duke e çuar në mbi 85 mijë numrin e përgjithshëm të të prekurve nga koronavirusi.

Edhe Spanja tashmë ka më shumë të infektuar se Kina, duke u renditur pas Shteteve të Bashkuara dhe Italisë. Shtetet e Bashkuara kanë më shumë të prekur në të gjithë botën që nga nisja e pandemisë afro 143 mijë. Një ditë pasi refuzoi të shpallë karantinën në Nju Jork ku numërohet gjysma e të prekurve në shkallë kombëtare, presidenti amerikan Doland Tramp zgjati afatin e masave për të ashtuquajturin “distancim social” deri të paktën më 30 prill.

Duke iu referuar të dhënave të ekipeve të emergjencës, Tramp tha se parashikohet që shifrat kulminante të viktimave pritet të shënohen gjatë dy javëshit në vazhdim. Këshilltari për shëndetësinë në Shtëpinë e Bardhë, Antoni Fauki paralajmëroi se koronavirusi mund t’u marrë jetën mbi 200 mijë amerikanëve.

Zyrtarët britanikë të shëndetësisë thanë se sistemi shëndetësor britanik ka nevojë urgjente për një numër të madh aparatësh respiratorë për t’u ardhur në ndihmë të infektuarve që po shtohen me rimte të frikshme. Britania numëron mbi 1200 viktima dhe më shumë se 19 mijë të prekur. Në gjithë botën kanë humbur jetën deri më tani 35 mijë njerëz, ndërsa janë prekur mbi 738 mijë persona që prej fillimit të pandemisë.

Tv Klan