Kohët e fundit, gjithnjë e më shumë italianë po zgjedhin Shqipërinë, jo vetëm për të pushuar, por edhe për të jetuar. E përditshmja italiane “Gaeta.it”, në një artikull kushtuar vendit tonë, evidenton se falë plazheve, kuzhinës së pasur, kostove të ulta, por edhe afërsisë mes dy brigjeve, italianët po braktisin vendin e tyre për Shqipërinë.

Më tej, kjo media thekson se pavarësisht se janë në anën tjetër të Adriatikut, kostot e qëndrimit në Shqipëri janë pothuajse sa gjysma e atyre në Itali. Shqipëria ka një ekonomi në zhvillim dhe për momentin shumë shërbime kanë ende një kosto shumë të ulët, thuhet në artikull, teksa bëhet edhe një analizë e detajuar e shpenzimeve.

Për të bërë një krahasim, nënvizohet në artikull, një javë në Shqipëri për dy persona gjatë sezonit veror mund të kushtojë 500 Euro, një shifër e paimagjinueshme në Itali, ku e njëjta shumë do të shpenzohej vetëm për hotelin.

Sipas analistëve, italianët e shohin Shqipërinë e sotme edhe me njëfarë melankolie, pasi deti Adriatik, plazhet, kuzhina dhe çmimet, i kthejnë pas në kohë në Italinë e 20 viteve më parë. Këto janë arsyet pse shumë italianë kanë zgjedhur Shqipërinë për të jetuar, dhe nuk janë thjesht pensionistë.

Tv Klan