Adnan Januzaj vendosi fitoren 1 – 0 të Belgjikës në takimin me Anglinë. 23-vjeçari realizoi një gol për t’u vlerësuar duke merituar edhe çmimin si më i miri i sfidës. Mesfushori me tipare sulmuese tregoi aftësitë e tij në arenën ndërkombëtare.

“Është goli im i parë, nuk ka gëzim më të madh. Jam shumë i kënaqur dhe uroj që të ketë të tjerë në të ardhmen. Në të kaluarën në Angli jam kritikuar. Unë dua t’i tregoj që jam këtu”,

tha Adnan Januzaj

.

Një shpagim për Adnan Januzajn, i cili u largua nga Premier League si lojtar futbollist i panevojshëm. Trajneri i Belgjikës, Roberto Martinez aktivizoi disa lojtarë të rinj, duke lënë në stol titullarët, një veprim që dha frytet e veta.

“Paraqitja e Januzajt dhe të rinjve të tjerë tregoi se jemi në rrugën e duhur për të patur një brez me lojtarë të mëdhenj”,

u shpreh Martinez.

Të njëjtën bëri edhe Gareth Southgate i Anglisë, por pa sukses dhe për këtë nuk munguan kritikat nga mediat vendase. “DailyMail” e quan një zgjedhje jo të duhur, pasi është Kupa e Botës dhe jo një ditë sportive në shkollë.

Tv Klan