Spikat sfida mes Partizanit dhe Teutës

Të dielën do të luhet java e 25 e Superligës për të pushuar më pas prej ndeshjeve kualifikuese të Kupës së Botës 2022. Kryesfida duket ajo mes Partizanit dhe Teutës që janë në të njëjtë kuotë pikësh dhe renditen në vendin e tretë dhe të katërt. Të dy ekipet synojnë titullin kampion.

“Një ndeshje ku përballen sulmi më i mirë me mbrojtjen më të mirë të kampionatit. Kemi një ecuri thuajse të njëjtë dhe mendoj se do të jetë shumë e luftuar si ndeshje”, tha Ilir Daja, trajner i Partizanit.

“Primare ka qenë kampionati edhe për ne dhe Partizanin. Jo për të lënë pas dore Kupën, por objektivi fillestar i joni ka qenë kampionati siç vazhdon të jetë”, tha Edi Martini, trajner i Teutës.

Tirana do të përballet me Laçin, ekipi që kryeson kampionatin. Trajneri Orges Shehi nuk e vlerëson si mundësinë e fundit për të siguruar kupat e Europës.

“Nuk e shikoj si treni i fundit për Europën, sepse ka edhe shumë ndeshje në vazhdim. E shikoj si ndeshje të rëndësishme për objektivat”, tha ai.

Te Vllaznia nuk duan të përmendin çështjen e gjobave për shkak të rezultateve, por duan që të përqendrohen në fushë për të arritur objektivat. Kundërshtari i radhës do të jetë Kastrioti.

“Kemi siguruar gjysmëfinalen e Kupës dhe gjithashtu në kampionat jemi ende në garë. Kjo na motivon edhe më shumë për të dhënë më të mirën”, tha Brdariç.

Të dielën do të luhen edhe Bylis-Kukësi dhe Apolonia-Skënderbeu.

Tv Klan