Prestigjiozja “CNN” ka sugjeruar Shqipërinë, si një ndër vendet që ja vlen që të vizitohen gjatë muajve të vjeshtës.

Në një artikull dedikuar të gjithë atyre që ju pëlqen të udhëtojnë dhe të mos shpenzojnë shumë, “CNN” thotë se kjo është periudha më e mirë e vitit për të shkuar pothuajse kudo nëpër botë. Midis vendeve që janë përzgjedhur si idealët për pushimet në vjeshtë është edhe Shqipëria.

“Udhëtarët e vjeshtës ka të ngjarë të kursejnë më shumë se 30% në biletat e avionit për në Evropë duke shmangur kulmin e udhëtimeve verore”, thuhet në artikull.

Megjithatë, theksohet se edhe pse çmimet në Evropë janë ende shumë të larta, mund të zgjidhet një destinacion që po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë për vlerën e tij mjaft të madhe – dhe ky destinacion është pikërisht Shqipëria.

Prestigjiozja amerikane thotë se ata që pëlqejnë detin kanë vërshuar në Shqipëri për plazhet e saj të bukura, por për këtë periudhë sugjeron Bjeshkët e Nemuna dhe lumin e Vjosës.

Teksa sugjerohen Shtatori dhe Tetori si muajt ideal për pushime, në artikull thuhet se në këtë periudhë turmat pakësohen, çmimet në disa destinacione ulen nga tarifat e sezonit të pikut dhe biletat e fluturimeve bien ndjeshëm me ardhjen e vjeshtës.

“Bileta e avionit bie kaq shumë nga vera në Shtator dhe Tetor, saqë ju mund të bëni një nga ato pushimet e mëdha, më të gjata dhe të shtrenjta për rreth 30% më pak në të gjithë botën, pavarësisht se ku jeni drejtuar.”

Përveç Shqipërisë, disa nga destinacionet që “CNN” sugjeron për turistët e vjeshtës janë Parqet Kombëtare të SHBA, Santa Fe, Nju Meksiko, Japonia, si dhe Disney World./tvklan.al