Presidenti rus Vladimir Putin mbërriti në vizitën e tij të parë zyrtare në Mongoli. Por pavarësisht thirrjeve nga BE, Gjykata Ndërkombëtare Penalenë Hagë si dhe Ukraina që ai të arrestohej, Putin u prit ngrohtësisht në aeroportin ndërkombëtar në kryeqytetin Ulaan Bator nga ministri i jashtëm Batmunkh Battsetseg.

Ai u prit bujarisht nga presidenti mongol Ukhnaagiin Khürelsükh shoqësuar me një ceremoni me veshje tradicionale. Vizita zyrtare vjen në mes të një urdhër-arrestimi ndërkombëtar për arrestimin e tij gati 18 muaj më parë me akuza për krime lufte në Ukrainë.

Ukraina i kërkoi Mongolisë javën e kaluar që të arrestonte Putinin me një urdhër të lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare vitin e kaluar, kur e akuzoi atë për dëbimin e paligjshëm të qindra fëmijëve nga Ukraina.  Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Heorhiy Tykhyi, tha se dështimi i Mongolisë për të ndaluar Putinin ishte një goditje e rëndë për Gjykatën Penale Ndërkombëtare.

“Mongolia ka lejuar një kriminel të akuzuar t’i shmanget drejtësisë, duke ndarë kështu përgjegjësinë për krimet e luftës,” shkroi ai në aplikacionin e mesazheve Telegram.

Kremlini e ka hedhur poshtë akuzën, duke thënë se është e motivuar politikisht. Urdhri detyron 124 shtetet anëtare të gjykatës, përfshirë Mongolinë, të arrestojnë Putinin dhe ta transferojnë atë në Hagë për gjykim nëse ai shkel në territorin e tyre.

Qëllimi i vizitës së Putinit në Mongoli është se Rusia ka qenë në bisedime për vite me radhë për ndërtimin e tubacionit për të transportuar 50 miliardë metra kub gaz natyror në vit nga rajoni i saj Yamal në Kinë nëpërmjet Mongolisë.

Projekti, “Power of Siberia 2”, është pjesë e strategjisë së Rusisë për të kompensuar humbjen e shumicës së shitjeve të gazit në Evropë që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Klan News