Në Itali kanë shpërthyer polemikat për punësimin e një influencerje në Ministrinë e Kulturës nga ministri Gennaro Santozugliano.

42-vjeçarja Maria Rosaria Botcia është punësuar si këshilltare e papaguar e ministrit italian të Kulturës.

Por marrëdhënia e saj profesionale me ministrin e Kulturës është shndërruar në kryefjalë të lajmeve politike në vendin fqinj.

Gjithçka nisi javën e kaluar kur 42-vjeçarja donte të falenderonte në rrjete sociale ministrin që e zgjodhi si konsulente për ngjarje të rëndësishme.

Por këshilltarët e ministrit të Kulturës e përgënjeshtruan lajmin. Këtu nisi dhe “lufta” mes palëve, që më pas mori vëmendje kombëtare.

Pas përgënjeshtrimit të këshilltarëve, influencuesja 42-vjeçare nisi të publikonte disa foto gjatë vizitave me ministrin në vende të ndryshme. Mes tyre postoi edhe Pompein, vendin në Itali ku pas 3 javësh është planifikuar një mbledhje e ministrave të Kulturës të vendeve të G7. Opozita dhe media italiane kanë ngritur pikëpyetje nëse Maria Rosaria Botcia është lejuar që të ketë akses në dokumente të klasifikuara që kanë të bëjnë me sigurinë e ministrave që do të marrin pjesë në këtë aktivitet.

Por Ministria italiane e Kulturës e ka mohuar kategorikisht këtë pretendim. Për këto shqetësime reagoi edhe vetë Kryeministrja Meloni në një deklaratë televizive, ku tha se ministri Santozugliano e ka siguruar që influencierja nuk ka patur akses në dokumente të klasifikuara.

Megjithatë, mbrëmjen e të hënës, 42-vjeçarja publikoi në rrjetet sociale dy dokumente që shfaqnin programin e punës së G7 në Napoli dhe në Pompei.

Ndërsa sot, në një tjetër postim, tha se në të gjitha udhëtimet ajo nuk ka shpenzuar asnjë Euro dhe se udhëtimet janë organizuar nga kabineti i ministrit.

Opozita i ka kërkuar ministrit të Kulturës që të raportojë në Parlament për këtë çështje dhe të sqarojë marrëdhënien profesionale me influncueren.

Vetë ministri reagoi sot përmes një letre të botuar në gazetën “La Stampa”, ku shprehet se e gjithë kjo histori është një stuhi mediatike ku vështirë të dallosh të vërtetën dhe lajmin e rremë. Ai përsëriti gjithashtu se Ministria e Kulturës nuk ka shpenzuar asnjë Euro për udhëtimet dhe akomodimet në hotel të influenceres.

/tvklan.al