Joe Biden zhbën vendimet e Trump, cilat janë urdhrat ekzekutivë që nënshkroi si President



Joe Biden zhbën vendimet e Trump, cilat janë urdhrat ekzekutivë që nënshkroi si President

00:05 21/01/2021

Presidenti amerikane Joe Biden nuk ka humbur kohë sapo është ulur prapa tavolinës së punës në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë. Menjëherë pas ceremonisë së inaugurimit dhe betimit të tij si Presidenti i 46-të i SHBA-së, Biden ka nënshkruar një sërë urdhrash ekzekutivë duke zhbërë disa prej vendimeve që kishte marrë paraardhësi i tij Donald Trump.

Mediat amerikane raportojnë se në mesin e udhrave ekzekutivë që ka nënshkruar Biden, përfshihen vendimi për rikthimin e SHBA-së në Marrëveshjen e Parisit për Klimën, shfuqizimin e kufizimeve të udhëtimit nga disa vende me shumicë myslimane, ndalimin e ndërtimit të murit me Meksikën, mbajtjen e maskave anti-covid në ndërtesat federale etj.

Në ditën e tij të parë në detyrë, Presidenti Biden propozoi një projektligj për reformën e emigracionit. Zyrtarë të administratës së re amerikane thanë se Joe Biden së shpejti do të nxjerrë edhe urdhra të tjerë ekzekutivë.

Joe Biden u inaugurua të mërkurën si Presidenti i 46 i SHBA, ndërsa Donald Trump refuzoi të ishte i pranishëm. Në mediat amerikane është raportuar se i kishte lënë një letër Joe Biden në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, por përmbajtja nuk është bërë e ditur. /tvklan.al






Të ngjashme