Nga foltorja e Kuvendit, Elisa Spiropali, i ka bërë një replikë fjalimit të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Bashës duke iu drejtuar se po dëgjon të njëjtat gjëra përherë nga ai.

Elisa Spiropali: Edhe njëherë nga kryetari i Partisë Demokratike, sot i vërtetuar dhe nga një shkresë e Gjykatës me pullë, Z. Basha urime!  Dëgjuam po të njëjtat përsiatje që nëse përsëriten këtu në Kuvend, do të kuptoni që është i njëjti fjalim me ndryshim paragrafësh dhe me theks të ndryshuar. Unë dua t’i kujtoj kryetarit që po mbetet tek pull se foltorja nuk mund të jetë pirgu i plehut ku ai derdh përsiatjet e tij këtu, fatkeqësisht përsiatjet e tij prej gjeli. Shqiptarët nuk janë pula, demokratët nuk janë pula dhe para se të flasë për legjitimitet Z. Basha dhe për masakrat zgjedhore, bën mirë të sqarojë pozicionin e tij brenda Partisë Demokratike në raport me shqiptarët dhe pastaj të kërkojë nga ky Kuvend dhe nga kjo shumicë llogari. Ne kemi kërkuar që Komisioni i Reformës Zgjedhore sot e gjithë ditën të ngrihet. Ju keni disa halle në partinë tuaj, me brava dhe ndoshta nuk keni qenë të vëmendshëm dhe nuk mund të vini këtu sa herë të keni probleme të brendshme dhe të hidhni baltë mbi proceset në Shqipëri. Zgjedhjet e 25 Prillit nuk ishin një masakër zgjedhore, por ishin humbja juaj e radhës, pranojeni këtë. E vërteta të bën të lirë, pranojeni që në zgjedhet e 25 Prillit ishin humbja juaj për shkak të paaftësisë tuaj. Duke nisur nga fakti që ju përmendi këtu pengesë të vazhdueshme për të ngritur Komisione Hetimore për të shkuar në fund. Kush ju ka penguar? Mazhoranca ka qenë e gatshme për të ju përgjigjur. Ju nuk mateni dot me ne. Sot kemi zyrtarë të lartë, të cilët po hetohen. Në kohën tuaj, zyrtarë të lartë vazhdonin detyrat në arrest shtëpie dhe ju i mbronit me nder. Në kohën tuaj, për vrasjen në Bulevard, prokuroria kërkonte arrestim, por policia nuk dorëzonte vrasësit. Ju nuk mund të ballafaqoheni me ne!  Ne nuk kemi asnjë hezitim për t’u përballur me të vërtetat tona!/tvklan.al