Juventus rrezikoi shumë, por nuk i zhgënjeu tifozët e saj në ndeshjen e parë të edicionit të sivjetshëm të Serie A. Torinezët e gjetën golin shumë shpejt me Khedira. Por golat e Stepinski dhe Giaccherini e çuan Chievon në avantazh.

Skuadra e Massimiliano Allegri luftoi fort dhe barazoi me një autogol të Bani, i cili vuajti presionin e Bonuccit. Juventus e kërkoi fitoren deri në fund të takimit atëherë kur e gjeti me golin e Bernardeschi. Në ndeshjen e parë të tij me Juventusin, Ronaldo nuk e pati shkëlqimin e pritur. Portugezit i duhet të ambientohet me kampionatin italian.

Në mbrëmje, Napoli mundi Lazion në Olimpico. Fillimisht shënoi Immobile, ndërsa në pjesën e dytë Milik barazoi. Perla e fitores erdhi nga Insigne në minutën e 59′.

Ashtu sikurse përfundoi sezoni i shkuar, edhe ky që sapo nisi solli rivalitenin mes Napolit dhe Juventusit, si skuadrat e para që siguruan fitoren.

Tv Klan