Erdogan: Nuk e bëmë të bujshme kapjen e saj

Ushtria turke ka kapur në Siri edhe bashkëshorten e ish-liderit të Shtetit Islamik Abu Bakër al-Bagdadi, i vetëvrarë dy javë më parë gjatë ndjekjes nga ushtria amerikane.

Ishte Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan që e bëri publik lajmin përpara studentëve të Universitetit të Ankarasë. Megjithatë, në vend të detajeve, ai ironizoi homologun amerikan, i cili e trumpetoi vetëvrasjen e kalifit të terrorit si fitore të madhe të forcave amerikane.

“Ne kemi kapur bashkëshorten e tij, por nuk e bëmë të madhe. Këtë po e them këtu për të parën herë. Në të njëjtën kohë ne kemi kapur edhe motrën dhe kunatin e Al-Bagdadit në Siri”.

Nuk është e qartë se cilën nga tre bashkëshortet e tij ka kapur ushtria turke, pasi Erdoan nuk dha detaje mbi identitetin e saj. Njëra nga gratë e al-Bagdadit u ndalua vitin e kaluar nga militantët kurdë dhe ushtria amerikane.

Zyrtarët turq publikuan të martën vetëm foton e motrës dhe kunatit të ish-udhëheqësit të terrorit, të cilët u kapën në një qytezë pranë kufirit turk, e konsideruar si nyja kryesore e kontrabandës nga Siria.

Tv Klan