Kapitull i ri për Presidentin Macron

Kapitull i ri për Presidentin Macron

09:45 26/04/2019

Me uljen e taksave dhe reformimin e administratës presidenti francez i përgjigjet kërkesave të Jelekverdhëve. Macron kërkon një fillim të ri, por lufta për të fituar zemrat e francezëve është e vështirë.

Më në fund Jupiteri zbriti nga maja e malit dhe dha një konferencë në Pallatin Elysée. Për herë të parë Emmanuel Macron, doli para gazetarëve, u ul krejt normalisht me ta në tavolinë dhe shpjegoi çfarë do të bëhet pas muajve të protestave të Jelekverdhëve në Francë. Kështu ai hoqi dorë nga ideja e përsëritur e mbajtjes së distancës dhe pranoi, se kryetari i shtetit duhet të flasë me qytetarët.

Dhurata për protestuesit

Me fillimin e vitit, kur udhëtonte nëpër Francë për të folur me mijëra qytetarë, përfaqësues të popullit dhe kryetarët e bashkive, ai ka mësuar shumë për vendin e tij, pranon Macron. Ka mësuar që ekziston ndjenja e përgjithshme e padrejtësisë sociale dhe financiare.

Për të luftuar këtë ai ka marrë një tufë masash: ulje të ndjeshme të taksave për njerëzit me të ardhura të mesme, rritje të pensionit minimal dhe rifutjen e kompensimit të inflacionit për të ardhurat e të moshuarve, njohje më të mirë për punën që bëjnë gratë në kujdes të familjes, si dhe për nënat që i rrisin fëmijët të vetme.

Të gjitha këto janë dhurata që kryetarët e shteteve ia japin shpesh qytetarëve në fushata zgjedhore. Macron, po e bën këtë dy vjet pas hipjes në post, sepse kërkon të ndryshojë mendimin që francezët kanë për të dhe të çojë më tej modifikimin e shtetit, të cilin e ka premtuar. Dhe këtë ai nuk është në gjendje ta bëjë, me protestat e vazhdueshme dhe rezistencën që i bëjnë qytetarët. Presidenti i drejtohet shumicës së moderuar të popullit të tij. Me banditët që kanë mbetur mes Jelekverdhëve duhet të merret policia, këtu ai ka të drejtë.

Reforma administrative dhe arsim më i mirë

Macron pranon se ka bërë edhe gabime, ai u është dukur të tjerëve i distancuar dhe arrogant dhe ai premton të përmirësohet. Prezantimi që bëri, ishte marshimi personal për në Canossa, me shpresën që të hapë një kapitull të ri në presidencën e tij.

Në Francë akuzat për elitat e fryra janë shtuar dhe me të drejtë. Epiqendra janë kritikat për shkollën elitare ENA, ku ka mësuar Macroni vetë dhe shumë presidentë dhe ministra francezë. Tani ajo do të reformohet, nëse nuk mbyllet fare. Ky është rezultat direkt i kritikave të bëra nga Jelekverdhët. Përveç kësaj do të ketë një reformë administrative, do të ulet numri i funksionarëve në Paris dhe shumë prej tyre do të dërgohen në provinca.

Kjo është zgjidhje përgjysmë. Ajo që i duhet Francës është decentralizimi i përgjithshëm, ku pushteti nga kryeqyteti të kalojë në rajone. Më shumë vendime politike duhet të merren nëpër rajone. Kjo do të ulte pakënaqësitë, ndjenjën e përhershme që fjalët venë në vesh të shurdhët, dhe do të shkarkonte presidentin nga akuzat, sepse njerëzit do të tregonin me gisht ata që janë përgjegjës në provinca.

Barbara Wesel Kommentarbild App *PROVISORISCH*

Plani financiar i Macronit i mjegullt

Qeveria qendrore franceze e cila sundon mbi çdo gjë, është e modës së vjetër dhe duhet demokratizuar. Por Macron me reformat e tij nuk guxon të bëjë shumë. Ai premton përmirësimin e shkollave dhe të arsimit. Por edhe këtu kemi të bëjmë me transformimin e strukturës së sistemit. Sistemi francez i shkollave duhet të jetë më pak hierarkik, më i hapur dhe më modern.

Por do ishte e vështirë për presidentin e vendosur, që të tërheqë në shekullin e 21 popullin e tij, të cilit i mungon vullneti. Si në çdo fushë tjetër Macroni mund të hedhë në këtë drejtim hapat e para. Francezët që nuk kanë vullnet për reforma nuk lejojnë të bëhen shumë gjëra. Këtë ata e treguan muajve të fundit, kur dolën nëpër rrugë.

Nuk është shumë e qartë çështja e financimit të bamirësive të premtuara, për rritjen e pagës minimale dhe pensioneve të ulta dhe uljen e taksave për shtresën e mesme. Maccron thotë se do të mbyllë vrimat e taksave dhe do të reduktojë administratën. Por kjo nuk mjafton. Shenjat tregojnë se do merren borxhe të reja.

A mjafton për të marrë kthesën?

Kur të bëhen të qarta detajet dhe francezët të mësojnë sa para ka Macron në xhepa për bamirësitë, atëherë atmosfera do të përmirësohet. Që pas debatit kombëtar u rritën vlerat në sondazhe. Presidenti është komunikues i mirë, duket simpatik dhe i afërt. Nëse e përdor edhe më shumë këtë cilësi, atëherë do të jetë në gjendje të bindë për reformat një pjesë të qytetarëve të moderuar. Megjithatë francezët kthejnë sipas erës, të pajisur me genin e revolucionit dhe pretendime të mëdha. Nuk duket të jetë e lehtë që t' i mbash me humor.

Dhe presidenti Macron është në provë. Atij nuk i lejohet të bëjë gabime të mëdha. Mbas ditës së sotme ai qeveris në kushte të rënda dhe nëse do jetë në gjendje të bindë popullin e vet, pritet të shihet./DW




Grupi
LAJMET

Të ngjashme




Grupi