Detaje të reja dalin në dritë rreth biznesmenit grek, i arrestuar si pjesë e rrjetit të trafikantëve që po transportonin 1.6 ton marijuanë të ngarkuara në brigjet shqiptare.

Mediat greke publikuan foton e biznesmenit 63-vjeçar me iniciale S.K, ky që shihni në foto. 

Sipas gazetës greke Prothotema, sipërmarrësi grek ishte shumë i njohur në ishullin e Mykonos-it, ku zotëronte një restorant të famshëm, si edhe kishte në pronësi një zinxhir restorantesh në ishuj të tjerë në Greqi.

Sipas shtypit grek, 63-vjeçari u siguronte trafikantëve skafet, me të cilët bëhej transporti i drogës, sikurse në rastin e fundit, ku siguroi blerjen e gomones së fuqishme me 4 motorë, për transportimin e 1.6 tonëve marijuanë.

Ai është mes 11 të arrestuarve në operacionin e të shtunës, ku ranë në pranga edhe 6 trafikantë shqiptarë. Biznesmeni u arrestua në një hotel në zonën bregdetare të Athinës.

Policia greke njoftoi se gomonia ishte pikasur nga roja bregdetare greke dhe FRONTEX, 15 ditë më parë në veri të Korfuzit. Mjeti lundrues po i drejtohej Italisë, por për shkak të problemeve në motor, ishte rikthyer në territorin grek nga ku u mbajt nën mbikqyrje deri të shtunën.

Në dijeni ishte vënë edhe pala shqiptare e ajo italiane. Hetimet në koordinim me policitë e tre vendeve vijojnë, për identifikimin e pjesëtarëve të tjerë të këtij grupi.

Tv Klan