Kelmend Balili i dënuar me 10 vite burg nga Gjykata e Shkallës së Parë ka ankimuar vendimin duke kërkuar pafajësinë. Sipas palës mbrojtëse, Balili nuk ka lidhje me akuzat e ngritura pasi Prokuroria nuk ka asnjë provë për t’i vërtetuar ato. Gjatë procesit të zhvilluar në Shkallën e Parë, 47-vjeçari është shpallur fajtor për katër akuza, trafik  ndërkombëtar droge, grup të strukturuar kriminal, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Vendimi është dhënë më 7 Maj, ndërsa avokati i tij Theodhori Sollaku kërkoi pafajësi duke argumentuar se provat e akuzës nuk vërtetojnë se 47-vjeçari rezulton të jetë i përfshirë në trafikun e 767 kilogramëve kanabis nga Saranda në Greqi. Pritet hedhja e shortit për të përcaktuar trupin gjykues në Apel për të zhvilluar edhe seancën e parë. 47-vjeçari u vetëdorëzua në polici pas gati tre vitesh arrati në 15 Janar të këtij viti. Në Gjykatën e Krimeve të Rënda, Balili dhe familjarët e tij po përballen edhe me nje tjetër proces, atë të konfiskimit të pasurisë.

Prokuroria ka kërkuar që disa pasuri të familjarëve të Balilit të kalojnë në favor të shtetit pasi nuk justifikohen dhe janë produkt i aktivitetit kriminal. Ndër pasuritë që kërkohet konfiskimi është edhe kompleksi turistik ‘Santa Quaranta’ në bregdetin e Sarandës, 27 mijë metra katrorë tokë dhe 23 apartamente.

Tv Klan