Kërkesa e deputetit: Edi dhe Ilir na mërzitët, tërhiquni nga politika



Kërkesa e deputetit: Edi dhe Ilir na mërzitët, tërhiquni nga politika

11:33 15/10/2020

Deputeti i opozitës Ralf Gjoni ka kërkuar nga Presidenti Ilir Meta dhe Kryeministri Edi Rama që të largohen nga politika.

Gjatë fjalës në seancën plenare, Gjoni i ka bërë thirrje kreut të shtetit që të japë dorëheqjen si President, ndërsa Ramës që të largohet nga posti i Kryeministrit dhe zgjedhjet të organizohen nga një qeveri teknike.

A doni ta dini juve pse Edi Rama është më i aftë se Ilir Meta dhe se Sali Berisha për pushtet? Për vetë faktin se ai është piktor shumë i mirë. Ai di të pikturojë fabula imagjinare shumë më mirë se sa Ilir Meta dhe se Sali Berisha, i cili sot ka edhe ditëlindjen, 76 vjeç. Sa malet, i tha Meta Saliut, të rrojë, sa malet, sa malet do shkojë edhe 10 vjet të tjera në kurriz të shqiptarëve.

Edi Rama e di shumë mirë aftësinë e tij prej piktori, dhe ndaj është duke pikturuar fabulën e radhës. Në momentet që shteti i ka arkat bosh, në momentet që biznesi i vogël përballet me falimentin, në momentin që populli është i acaruar në kulm, Edi Rama hap sherr me Ilir Metën. Mban fjalë tek Asambleja dhe merret vetëm me Ilir Metën. Ndërkohë shqiptarët kanë vetëm një mesazh për ju të dy shokë të vjetër socialistë: Edi dhe Ilir na mërzitët, na lodhët. Ka ardhur koha që të largoheni nga politika.

Ilir Meta duhet t’i shërbente nderit dhe emrit që ka pasur dhe kontributit që ka dhënë në politikë duke u dorëhequr nga pozicioni i Presidentit. Edi Rama, në qoftë se ka këllqe dhe nuk ka frikë nga vota e shqiptarit, të tregojë minimumin e dinjitetit, të dorëhiqet para zgjedhjeve dhe t’i lërë zgjedhjet në Shqipëri që të zhvillohen me një qeveri teknike, qeveri teknokratësh të përgatitur”, u shpreh deputeti Ralf Gjoni. /tvklan.al





Të ngjashme