Zonja Del Ponte edhe pse nuk është me prokurore e Gjykatës së Hagës, duket se ka ende ndikim në disa institucione të rëndësishme evropiane.

Akuzat ndaj shqiptarëve, të cilat kurrë nuk i formuloi në gjykatë, por në një libër tashmë do të jenë objekt hetimi i Këshillit të Evropës.

Strasburgu ka vendosur që të hetojë akuzat e zviceranes Del Ponte për përfshirjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në trafikun e organeve të rreth 300 të burgosurve serbë gjatë luftës.

Në krye të hetimeve do të jetë një tjetër zviceran, senatori Dick Marty. Nuk ka ende të dhëna se kur Marty do udhëtojë drejt Kosovës për të hetuar në lidhje me akuzat, por nuk përjashtohet mundësia që ai të vijë edhe në Shqipëri.

Carla Del Ponte në librin e saj “Gjuetia: Unë dhe Kriminelët” hedh dyshime për një trafik organesh ndaj 300 të burgosurve serbë të rrëmbyer nga UÇK-ja, të cilët më pas dërgoheshin në një shtëpi në periferi te Burrelit, ku sipas saj, kryhej dhe transplanti i organeve.

Menjëherë më pas Tirana dhe Prishtina zyrtare hodhën poshtë akuzat duke i konsideruar si trillime dhe absurditete.

TV Klan ishte me kamerën e vet në fshatin Gurrë dhe solli dëshmi ekskluzive që rrëzonin poshtë me fakte pretendimet e zonjës Del Ponte.

Megjithatë asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës vendosi të nisë hetimet, pasi sipas këtij institucioni nuk kishte ende fakte për të dyshuar në vetëdijen e ish-kryeprokurores Carla Del Ponte./tvklan.al