“Koha e pandëshkueshmërisë duhet të përfundojë”

Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim nga Pashalimani ku ndoqi stërvitjen ushtarake në kuadër të “Defender Europe 2021” foli edhe për vendimin e Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, për ta shpallur ish-Kryeministrin Sali Berisha dhe familjen e tij “non grata” në SHBA. Ambasadorja tha se nuk kishte asgjë për të shtuar përveçse asaj që ka thënë Sekretari i Shtetit në deklaratën e tij për këtë çështje, por shtoi se zhvillimet e fundit në Shqipëri janë pozitive.

“Keni parë zhvillime domethënëse këto janë zhvillime pozitive që duhet të vazhdojnë. Shqipëria po ndryshon, Shqipëria është anëtare NATO-s, Shqipëria do të jetë në BE dhe është mike dhe aleate e SHBA-ve. Shteti ligjor duhet të prevalojë, duhet të jetë një vend i pastër që të jetë një vend i pasur dhe për të arritur aty,  askush, askush nuk mund të jetë mbi ligjin”.

Më tej ambasadorja tha se askush nuk mund të jetë mbi ligjin dhe se të gjithë duhet të punojnë për forcimin e demokracisë.

“Ditët e pandëshkueshmërisë duhet të përfundojnë dhe të gjithë duhet të punojmë për këtë. Ky nuk është një projekt i juaj, por është një projekt që së bashku mund ta bëjmë”.

Tv Klan