Kim: Kemi një marrëveshje. Përgëzoj Ramën, “topi” në fushën e Bashës



Kim: Kemi një marrëveshje. Përgëzoj Ramën, “topi” në fushën e Bashës

23:46 03/06/2020

Kreu i PD: Është bërë progres, por mbetet 1 çështje pa zgjidhur

9 orë të tjera negociata në tokë amerikane, në rezidencën e ambasadores Yuri Kim në Tiranë nuk u mbyllën me një marrëveshje të pranuar nga të gjitha palët për reformën zgjedhore.

Pasi u takuan disa herë në prani të diplomates amerikane, atij të Bashkimit Evropian dhe Britanisë së Madhe, me disa ndërprerje për t’u konsultuar me krerët e partive të tyre, ambasadorja amerikane Yuri Kim tha në fund të bisedimeve se ishte bërë progres i jashtëzakonshëm dhe se tashmë kishte një marrëveshje duke përgëzuar Partinë Socialiste për lëshimet që kishte bërë. 

“Çdo palë dha dhe çdo palë fitoi. Populli shqiptar do fitojë më shumë. Çdo palë dhe çdo parti dha dhe më duhet ti jap merita të veçanta partisë në pushtet. Ne e bëmë të qartë se partia në pushtet ka privilegje dhe ata do të jepnin më shumë. Dhe ata e bënë. E përgëzoj partinë në pushtet për atë që kanë bërë. Ne kemi atë që mund të jetë një marrëveshje që e fut Shqipërinë në një rrugë drejt BE. Realizuam masat që kërkoi ODIHR. Bëmë disa hapa domethënës që nuk janë rekomanduar nga ODIHR, por që mund ta shtyjnë përpara Shqipërinë”.

Kim e mbylli me një mesazh drejtuar kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha duke i kërkuar t’i thotë PO draftit.

“Ka ardhur koha për opozitën dhe mikun tim Luli Basha që të baraspeshojë të gjithë faktorët dhe të thotë “PO” për popullin shqiptar dhe të thonë “PO” për Shqipërinë. Topi është në fushën e tij. E ardhmja e vendit është dorën e tij”.

Pak minuta më pas Basha iu përgjigj nga selia blu, por nuk e tha fjalën e fundit, duke e lënë të hapur marrjen e vendimit.

“Është bërë progres drejt dakordësisë për administrimin zgjedhor. Ka mbetur një çështje pa zgjidhur. Dua t’i siguroj shqiptarët se opozita e bashkuar do të bëjë gjithçka për votën e lirë dhe të ndershme”.

Tv Klan mëson nga burime pranë negociatorëve se pika e vetme që palët nuk po bien dakord është përbërja e komisioneve zgjedhore. Në tryezë kanë qenë disa variante ku mazhoranca këmbëngulte për depolitizimin e tyre ndërsa opozita kishte rezervë. Duket se dakordësia është arritur edhe për identifikimin biometrik të zgjedhësve, një tjetër pikë e debatuar ditët e fundit si dhe për riformatimin e KQZ-së.

Tv Klan



Të ngjashme