Ambasadorja Yuri Kim ka qenë e pranishme në Qafë Thanë ku u mbajt një ceremoni për bashkëpunimin rajonal. Për këtë bashkëpunim USAID ka dhënë 100 mijë dollarë për pajisje për doganierët shqiptarë dhe ata të Maqedonisë së Veriut. Ambasadorja Kim u shpreh se ndihma e SHBA-së po e bën rajonin më të sigurt. Ajo theksoi ndër të tjera se SHBA mbështet anëtarësimin në BE të dy vendeve.

Ambasadorja Kim: Jam këtu për të theksuar se si ndihma e SHBA po e bën Ballkanin Perëndimor më të sigurt, më demokratik dhe më miqësor ndaj biznesit. Jo shumë kohë më parë kufijtë kanë qenë si mure, sidomos në këtë rajon, nën pretekstin e sigurisë kombëtare duke ndarë njerëzit, duke penguar tregtinë, besimin e ndërsjellë. Ndërsa sot qëndrojmë në një kufi që është jo vetëm më i sigurt, por synon të sjellë njerëzit më pranë dhe të çojë përpara integrimin paqen dhe begatinë. Sot Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në një pikë kthese  drejt anëtarësimit në BE, dhe ShBA e mbështet këtë qëllim. Pajisjet e blera nga USAID do të sigurojnë që autoritetet doganore të arrijnë standarde më të larta në procedurat kufitare, lehtësimin e mjedisit për biznesin dhe kontrolleve për sigurinë./tvklan.al