Kur flasim për artistë të angazhuar, Claudio Pozzani, është njëri prej tyre. Poeti italian , i cili sot mban në këmbë një nga festivalet më të rëndësishme ndërkombëtare të poezisë, atë të Genova-s, prej vitesh ka ndërtuar një raport të veçantë me vendin tonë. Ura lidhëse janë poetët shqiptarë, që Claudio, i fton vit pas viti në festivalin e tij, ku prezantojnë krijimtarinë e tyre, nobelistë e poetët më në zë të kohës. Ardhja e tij në Tiranë, nuk lidhet drejtpërdrejt me festivalin, por me poezinë e tij, që tashmë vjen e shqipëruar nga Mira Tuci. Janë ndër më të  mirat e krijimtarisë së tij nën titullin “Kjo faqe e grisur” dhe me një kopertinë, e cila reflekton të kundërtën e trajektores që po ndjek arti në Ballkan e Evropë.

Claudio Pozzani:

Jam i shqetësuar, sepse vit pas viti fondet për kulturën po reduktohen. Arti ngre pyetje, e bën individin të arsyetojë dhe drejtuesit e qeverive kanë  frikë nga kjo. Ata duan ti kontrollojnë edhe nëpërmjet rrjeteve sociale që shërbejnë si bazë të dhënash të cilat mund të përdoren nga qeveritë pikërisht kundër qytetarëve të tyre

Për kohën që jetojmë poezia e Claudio Pozzanit është një kambanë alarmi ndaj një shoqërie kriminale.

Claudio Pozzani:

Një shoqëri që flet për dashurinë, por që vret. Në Itali, çdo ditë një burrë vret ish bashkëshorten e tij, pasi dashuria për ta është posedim.

Për të përçuar mesazhet e tij dhe i vetëdijshëm se sot poezia nuk përbën një produkt të shitshëm, ai i interpreton ato, falë edhe një talentit të tij për të kënduar.

Tv Klan