Do të kërkojë opinion nga EURALIUS dhe USAID

Mandati i gjyqtarit të Gjykatës së Lartë dhe kreut të KED, Ardian Dvoranit, ka sjellë përplasje në mbledhjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor, tëzhvilluar online.

Katër anëtarë mbështetën kërkesën e Presidentit Meta, sipas të cilës mandati i Dvoranit duhet të ndërpritet, për shkak se i ka përfunduar që në vitin 2014, por qëndron ende në detyrë pasi nuk kishte anëtarë të tjerë për ta zëvendësuar. Me zgjedhjen e 3 anëtarëve të tjerë, Sokol Sadushit, Ervin Pupës dhe Ilir Pandës, mandati sipas tyre, quhet i përfunduar.

Por 7 anëtarët e tjerë mbështetën kërkesën e Ardian Dvoranit, që t’i vihet në dispozicion e gjithë korrespondenca mes Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Presidentit të Republikës, Ilir Meta, për emërimin e 3 anëtarëve të rinj.

Dvorani pretendon se me emërimet e reja, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka plotësuar 3 nga 4 vakancat që u takojnë juristëve të spikatur. Ai, në një letër drejtuar Këshillit, thotë se vetë, kur të plotësohet edhe vakanca e katërt, ai mund ta lerë detyrën.

Po ashtu, ai shprehet në letrën e tij, se KLGJ nuk ka kompetencë për ta shkarkuar.

Në këto kushte, Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk arriti të marrë vendim pro apo kundër përfundimit të mandatit, por vendosi që t’u drejtohet për t’u marrë opinion misioneve ndërkombëtare të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, EURALIUS dhe USAID, që kanë mbështetur Reformën në Drejtësi, me programin “Drejtësi për të gjithë”.

KLSH vendosi gjithashtu me shumicë votash, që Dvoranit t’i vihen në dispozicion dokumentet për procedurën e ndjekur për emërimin e 3 gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë.

Si i vetmi anëtar i Gjykatës së Lartë, deri në emërimin e 3 të tjerëve, Dvorani ka drejtuar për dy vite me radhë edhe Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, një detyrë kjo që e ka përplasur edhe me Presidentin Meta, në lidhje me emërimet në Gjykatën Kushtetuese.

Tv Klan